TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Korrik 2026, 18:11

Sherri me 4 të plagosur në Podujevë, policia jep detaje: Të përfshirë nip e dajë!

Shkruar nga Pamfleti

Sherri me 4 të plagosur në Podujevë, policia jep detaje: Të

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditura detaje të reja lidhur me plagosjen që ndodhi sot në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, ku katër persona mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Sipas Prokurorisë, hetimet e deritanishme kanë treguar se të dyshuarit kanë lidhje familjare, konkretisht janë nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar i incidentit lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme. Gjithashtu është mësuar se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe tre armë të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sherrit.

Lidhur me rastin ka folur edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci Shabani, i cili bëri të ditur se rreth orës 14:00 policia ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri në qendër të Podujevës.

Sipas tij, tre nga të plagosurit kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Shabani tha se motivet e ngjarjes ende nuk janë zbardhur dhe se hetimet janë në zhvillim, ndërsa organet kompetente po mbledhin prova për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.

Ai sqaroi gjithashtu praninë e një zyrtari policor të veshur me rroba civile në vendin e ngjarjes, duke bërë të ditur se bëhet fjalë për një hetues të Stacionit Policor në Podujevë, i cili ishte në detyrë zyrtare dhe ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Ndërkohë, katër të plagosurit po marrin trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, tha se të gjithë pacientët kanë plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

“Gjendja e tyre është e rëndë, por stabile. Njëri prej tyre është dërguar në sallën operative, ndërsa tre të tjerët po trajtohen në Qendrën Emergjente. Të katërtit janë të moshës së mesme”, deklaroi Syla.

kosovë podujevë sherr

Lini një Përgjigje