Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zezë, ku ndër të tjera veçojmë:
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin për grupin “Shullazi”, duke rrëzuar rekurset dhe duke konfirmuar rreth 43 vite burg në total, në përputhje me vendimin e Apelit të GJKKO-së.
Në një tjetër zhvillim, dosja e grabitjes së Rinasit është çuar në Gjykatën Kushtetuese, ku vëllezërit Çala pretendojnë shkelje të të drejtave gjatë procesit gjyqësor.
Në Korçë, gjatë një operacioni antidrogë u plagosën dy efektivë policie pasi një i dyshuar tentoi të arratisej dhe goditi mjetin e policisë.
Në Tiranë, një 34-vjeçar i skeduar u plagos me armë zjarri pas një konflikti të çastit në zonën e Kinostudios, ndërsa vijojnë hetimet për autorin.
Në Fier, një avokate dhe një përkthyese janë dërguar në gjyq për falsifikim vendimesh gjyqësore të përdorura në gjendjen civile.
Në Sarandë, një shtetas francez është lënë në burg për mashtrim kompjuterik, i dyshuar për vjedhje të të dhënave bankare përmes SMS-ve mashtruese në emër të Postës Shqiptare.
Në Tiranë, një gardist 42-vjeçar është gjetur i pajetë në banesë, dyshohet vetëvrasje me armën e shërbimit.
Ndërkohë, në Spanjë u raportua bastisje në selinë e PSOE për hetime korrupsioni, ndërsa Europa po përballet me një valë të nxehti që ka shkaktuar viktima dhe temperatura rekord në disa vende.
Lini një Përgjigje