
Një tjetër qytetare ka mbajtur fjalën para Kryeministrisë, në kuadër të protestës që po zhvillohet prej 16 ditësh në Tiranë, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Nga podiumi, ajo u shpreh se protestuesit janë të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre dhe se nuk do të tërhiqen deri në largimin e qeverisë aktuale.
“Do t’i shkojmë deri në fund kësaj që kemi nisur, këtu vendosim ne dhe nuk ndalemi deri në dorëheqjen e qeverisë. Nuk heqim dorë derisa të kemi një Shqipëri të re dhe një qeveri të re popullore”, deklaroi protestuesja.
Gjatë fjalës së saj, protestuesja iu referua edhe një deklarate të kryeministrit Edi Rama, duke ngritur një pyetje drejtuar kreut të qeverisë. “Rama tha që Shqipëria nuk është e Shqiptarëve, po e kujt është?”, u shpreh qytetarja.
Gjithashtu, ajo pohoi se e gjithë bota ka njohur këto ditë shqiptarët. Sipas saj, kjo është fytyra e Shqipërisë së re.
“Po zbarojnë mijëra qindra shqiptarë, dhe ne vazhdojmë drejt tyre. E gjithë bota ka mundësi që të shohë fytyrën e vërtetë të shqiptarëve. Ma kanë thënë; shqiptarët janë kështu, ashtu. Jo! Kjo është fytyra e shqiptarëve. Fytyra e Shqipërisë së re, për të gjithë ne. Të tërë bashkë. Për çdo shqiptar, që është larguar për një jetë më të mirë. Për të gjithë ata që njohin lojën e shaut. Deri dje shqiptarët kanë qenë spektatorë ku luheshin rregullat nga të tjerë, sot e luajnë ata”, shtoi protestuesja.
Deklarata e saj u prit me reagime nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, ndërsa tubimi vijoi me fjalime të tjera të qytetarëve që ndanë shqetësimet dhe kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe sociale.
Lini një Përgjigje