TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Prill 2026, 08:15

Lëkundje të forta në Greqi, tërmeti me magnitudë 5.7 'shkund' ishullin e Kretës

Shkruar nga Pamfleti

Lëkundje të forta në Greqi, tërmeti me magnitudë 5.7

Një tërmet i fortë me magnitudë 5.7 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm ishullin e Kretës, duke shkaktuar shqetësim te banorët, por pa pasoja të raportuara deri tani.

Sipas Institutit Gjeodinamik, lëkundja sizmike ndodhi në orën 6:18 dhe kishte epiqendrën në det, rreth 23 kilometra në jug-jugperëndim të Goudourasit, në rajonin e Lassithit, me një thellësi prej 9.7 kilometrash.

Tërmeti u ndje në të gjithë ishullin, veçanërisht në zonën lindore të Kretës. Autoritetet vendore konfirmojnë se, megjithëse lëkundja ishte e fortë dhe me kohëzgjatje të ndjeshme, deri më tani nuk ka raportime për dëme materiale.

“Tërmeti ishte i fortë dhe zgjati mjaft. Kjo krijoi shqetësim te banorët, të cilët ende ndjejnë lëkundje, pasi ka të ngjarë që po regjistrohen paslëkundje”, deklaroi kryetari i bashkisë së Sitias, Giorgos Zervakis.

Pas tërmetit kryesor, janë regjistruar edhe të paktën pesë pasgoditje me magnitudë nga 3.5 deri në 3.8, duke shtuar ndjesinë e pasigurisë te qytetarët.

Autoritetet vendore dhe shërbimet e emergjencës janë vënë në gatishmëri, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të ruajnë qetësinë. Kryetarët e bashkive të Sitias dhe Ierapetrës kanë konfirmuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse.

“Tërmeti u ndje në të gjithë Kretën lindore. Kemi vënë në gatishmëri mbrojtjen civile dhe po presim të shohim nëse ka probleme”, u shpreh nënkryetari i qarkut të Lassithit, Yiannis Androulakis, duke shtuar se zona ka edhe ndërtesa të vjetra që do të monitorohen.

Lini një Përgjigje