Zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, deklaroi se vendi ndodhet në gatishmëri të plotë ushtarake dhe është i përgatitur për çdo skenar, ndërsa mbetet e paqartë nëse Teherani do të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave që pritet të zhvillohet në Islamabad. Lajmi u publikua nga agjencia shtetërore iraniane IRNA.
Mohajerani theksoi se Irani ka përpara dy qasje të mundshme: atë të luftës dhe atë të diplomacisë. Ajo nënvizoi se vendi nuk synon përshkallëzim të konfliktit, por paralajmëroi se çdo sulm i ri do të marrë një përgjigje më të fortë se më parë.
“Ne nuk duam të sulmohemi sërish, por nëse kjo ndodh, përgjigjja jonë do të jetë më e ashpër”, deklaroi ajo, duke shtuar se forcat e mbrojtjes janë në “gatishmëri të plotë” dhe me “dorën në këmbëz”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se ekipi negociator iranian nuk do të bëjë asnjë kompromis, qoftë edhe minimal, kur bëhet fjalë për interesat kombëtare të vendit.
Deklaratat vijnë në një klimë tensioni të shtuar mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Së fundmi, ushtria iraniane ka reaguar ndaj një incidenti në Gjirin e Omanit, ku një anije luftarake amerikane hapi zjarr ndaj një anijeje mallrash me flamur iranian. Sipas Uashingtonit, anija po përpiqej t’i shmangej bllokadës detare të vendosur nga SHBA.
Nga ana tjetër, autoritetet ushtarake iraniane e cilësuan këtë veprim si “pirateri të armatosur” dhe një shkelje të armëpushimit, duke paralajmëruar kundërmasa.
Lini një Përgjigje