Shtetet e Bashkuara kanë përdorur një sasi të konsiderueshme raketash gjatë operacioneve ushtarake në Iran që nisën në fund të shkurtit, duke prekur ndjeshëm rezervat e tyre strategjike.
Sipas të dhënave të publikuara nga New York Times, mbi 1.100 raketa kruiz me teknologji të avancuar dhe rreze të gjatë veprimi janë lëshuar gjatë konfliktit. Ky nivel përdorimi afrohet me numrin e raketave që mbeten aktualisht në dispozicion të ushtrisë amerikane. Këto sisteme ishin planifikuar fillimisht për skenarë të mundshëm përballjeje me fuqi të mëdha si Kina.
Në të njëjtën periudhë, ushtria ka përdorur mbi 1.000 raketa të tipit “Tomahawk”, një shifër që tejkalon rreth dhjetë herë ritmin vjetor të furnizimit me këtë armatim. Paralelisht, janë lëshuar më shumë se 1.200 raketa të sistemit mbrojtës “Patriot”, secila me kosto mbi 4 milionë dollarë, si dhe mbi 1.000 raketa të tjera me precizion të lartë me bazë tokësore.
Këto përdorime intensive kanë ulur ndjeshëm rezervat e Pentagonit. Vlerësimi është përpiluar nga Departamenti i Mbrojtjes dhe është mbështetur edhe nga zyrtarë të Kongresit. Për të përballuar kërkesën operative, ushtria ka tërhequr armatime edhe nga bazat në Azi dhe Evropë.
Kjo zhvendosje ka ndikuar në kapacitetet e komandave rajonale, duke i bërë ato më të kufizuara në rast të një përshkallëzimi të mundshëm me aktorë të tjerë ndërkombëtarë si Rusia apo Kina. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane ka nisur përpjekje për të rritur prodhimin e armatimeve dhe për të adresuar boshllëqet e krijuara në depo.
Konflikti ka nxjerrë në pah edhe varësinë e lartë nga sisteme të kushtueshme, veçanërisht në mbrojtjen ajrore dhe në municionet me precizion të lartë. Kjo situatë ka shtuar shqetësimet mbi aftësinë e industrisë së mbrojtjes për të prodhuar më shpejt dhe me kosto më të ulët.
Departamenti i Mbrojtjes nuk ka publikuar një shifër të plotë për sasinë e municioneve të përdorura gjatë 38 ditëve të luftimeve para armëpushimit që hyri në fuqi dy javë më parë. Institucioni ka raportuar vetëm se janë goditur mbi 13 mijë objektiva, ndërsa ekspertët vlerësojnë se ky numër nuk pasqyron plotësisht volumin real të armatimeve të përdorura, pasi shumë objektiva kërkojnë goditje të përsëritura nga avionë, dronë dhe artileri.
Lini një Përgjigje