Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili konsiderohej edhe një nga figurat kyçe në negociatat me Shtetet e Bashkuara, është tërhequr nga drejtimi i bisedimeve me Uashingtonin. Lajmi është raportuar nga Kanali 12 izraelit, pa cituar burime konkrete.
Sipas këtij raportimi, në orët e fundit janë shtuar sinjalet për një krizë të thellë në nivelet më të larta të pushtetit në Iran. Burime të ndryshme të cituara nga media flasin për një nga përplasjet më serioze të viteve të fundit, e cila po ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e vendit për të marrë vendime strategjike, veçanërisht në një moment tensioni dhe rreziku për përshkallëzim të konfliktit.
Lajmi thekson se Ghalibaf, i cili kishte menaxhuar edhe negociata të ndërlikuara, përfshirë ato në Pakistan, vendosi të tërhiqet për shkak të ndërhyrjes në rritje të gjeneralëve të Gardës Revolucionare në procesin negociues.
Sipas Kanalit 12, përplasja u përshkallëzua pas një propozimi nga Katari për të ulur tensionet në Ngushticën e Hormuzit. Plani parashikonte që 20 anije iraniane të kalonin në këtë korridor detar në këmbim të lejimit të kalimit për 20 anije nga portet e Gjirit Arab.
Megjithatë, kjo iniciativë u bllokua nga zyrtarë iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi. Sipas raportimit, Araghchi, i cili më parë konsiderohej aleat i Ghalibaf, u rreshtua me linjën më të ashpër të Gardës Revolucionare, duke penguar zbatimin e marrëveshjes.
Media izraelite arrin në përfundimin se aktualisht nuk ka një strukturë të vetme në Iran që të jetë plotësisht e aftë ose e autorizuar për të marrë vendime për çështjet më kritike.
Këto pretendime janë kundërshtuar indirekt nga presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i cili në një reagim publik theksoi unitetin e vendit. “Në Iran nuk ka ‘të ashpër’ apo ‘të moderuar’. Ne jemi të gjithë iranianë dhe revolucionarë,” deklaroi ai, duke nënvizuar bindjen ndaj liderit suprem dhe unitetin mes shtetit dhe popullit.
Ai shtoi se Irani do ta detyrojë çdo “agresor” të pendohet për veprimet e tij, duke theksuar një qëndrim të fortë në politikën e jashtme.
Interpretimi i situatës mbetet i ndarë: raportimet flasin për tensione të brendshme dhe rivalitet për pushtet, ndërsa autoritetet iraniane përpiqen të projektojnë stabilitet dhe unitet institucional.
Lini një Përgjigje