TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Mars 2026, 17:13

Irani rekruton kriminelë evropianë si spiunë dhe autorë atentatesh

Shkruar nga Richard Holmes
Irani rekruton kriminelë evropianë si spiunë dhe autorë
Foto Ilustruese /

Kanale të lidhura me Teheranin në Telegram, shpallin detyra të paguara për survejim dhe aktivitete të tjera, duke ngritur shqetësime mbi një model të ri spiunazhi të tipit “gig‑economy” në mbarë Evropën...

Burime nga organet britanike të sigurisë, paralajmërojnë se Irani po rekruton një rrjet spiunësh “me kontrata të përkohshme” nëpërmjet kanaleve të Telegram-it, ku ofrohen pagesa në këmbim të survejimit dhe detyrave të tjera.

Duke shfrytëzuar aplikacione të koduara të komunikimit dhe stimuj financiarë, shërbimet e inteligjencës iraniane synojnë të angazhojnë individë nga gjithë kontinenti për operacione vëzhgimi dhe, potencialisht, për akte të dhunshme, përfshirë atentate.

Kanale në Telegram shpallin hapur “vende pune” për llogari të agjencive iraniane të inteligjencës, duke imituar teknikat e përdorura nga shërbimet ruse. Këto metoda kanë ngritur shqetësime tek autoritetet e anti‑terrorizmit, të cilat vërejnë se Teherani po e zhvendos gjithnjë e më shumë spiunazhin dhe operacionet armiqësore tek ndërmjetës të lirë dhe kriminelë.

Një burim i Whitehall-it deklaroi: “Ata do të punësojnë këdo për zjarrvënie, dëmtim pronash, apo sulme fizike. Po shohim një prirje ku kriminelë profesionistë rekrutohen për operacionet më të sofistikuara”.

Një kanal i lidhur me inteligjencën iraniane, përdor një bot të automatizuar në Telegram për t’u ofruar përdoruesve mundësinë të “punojnë me inteligjencën iraniane në një mjedis të testuar dhe të sigurt”.

Mesazhet e tij pretendojnë se agjencitë iraniane rekrutojnë operativë “nga e gjithë bota, pa marrë parasysh motivet”. Një tjetër thirrje u bën anëtarëve apel: “Bashkohuni me ne, mos i lini të shkojnë dëm talentet tuaja të fshehura”.

Zyrtarë perëndimorë të sigurisë e shohin këtë gjuhë të hapur, si një ndryshim të dukshëm në qasjen e Teheranit ndaj rekrutimit, duke reflektuar tensionet në rritje mes Iranit dhe Mbretërisë së Bashkuar në sfondin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Modeli i rekrutimit, nis fillon me detyra të thjeshta, si fotografimi i një objekti të ndjeshëm. Shpesh, ndërmjetësi që pranon detyrën rekruton të tjerë - zakonisht kriminelë lokalë - për ta përmbushur misionin kundrejt pagesës.

Një burim britanik shtoi: “Nuk janë gjithmonë bashkëpunëtorë të vetëdijshëm. Mund të jenë individë naivë, të papunë e të brishtë, ose kriminelë të rastësishëm të gjetur përmes tregjeve të paligjshme online”.

Ish‑Sekretarja e Brendshme, Dame Priti Patel, kërkoi që qeveria të investojë burime të konsiderueshme për të përballuar kërcënimin në rritje nga Teherani: “Britania ka shërbime inteligjence dhe sigurie të nivelit botëror. Tani është koha që qeveria të sigurojë udhëheqjen dhe burimet e nevojshme për të shkatërruar çdo kërcënim iranian ndaj qytetarëve tanë dhe sigurisë kombëtare”.

Taktika nga manuali i Kremlinit

Strategjia pasqyron atë që analistët e sigurisë e quajnë qasje “grey‑zone” (zona gri), operacione të projektuara enkas për të ngacmuar ose frikësuar kundërshtarët, duke ruajtur një shkallë mohimi formal.

Teknika të ngjashme janë përdorur nga inteligjenca ruse për rekrutimin e ndërmjetësve që kryejnë akte sabotimi në Britani. Gjatë një gjyqi 4‑javor në Old Bailey, juria dëgjoi se si një shpërndarës droge, Dylan Earl, u radikalizua nga propaganda pro‑Kremlinit në Telegram.

Ai filloi të komunikonte me persona që pretendonin se përfaqësonin operativë të Wagner-it përmes një llogarie të quajtur “Privet Bot” dhe shumë shpejt hartoi një plan për të djegur njësi në Cromwell Industrial Estate në Leyton, Londër lindore - duke shkatërruar rreth 100.000 £ ndihma humanitare të destinuara për Ukrainën.

Zbulimet e fundit vijnë, mes shqetësimeve në rritje se Moska dhe Teherani po ndajnë inteligjencë dhe pajisje ushtarake në përballjen e tyre me Perëndimin.

Spiunë me kontratë

Një nga shembujt më të qartë u shfaq në vitin 2023, kur Magomed‑Husejn Dovtaev, shtetas austriak, u dënua për spiunazh në shërbim të Teheranit, pasi kishte përgjuar selinë e rrjetit televiziv Iran International në Londrën Perëndimore.

Ky vëzhgim ishte pjesë e një komploti më të gjerë për të kryer një sulm terrorist ndaj transmetuesit që është shpesh objekt kërcënimesh nga Teherani. Roger Macmillan, ish‑drejtues i sigurisë së rrjetit, tha se ky rast tregon se sa lehtë mund të rekrutojë Teherani operativë në Evropë: “Iranianët do të paguajnë këdo. Nuk e kanë fare problem”.

Ai shtoi se rekrutimi i llojit “gig‑economy” është i rëndësishëm për iranianët, sepse ata nuk mund të mbajnë rrjete të qëndrueshme njerëzish, por punësojnë individë pa ndonjë sofistikim të veçantë.

I pyetur pse kishte fotografuar zyrat e Iran International, Dovtaev tha në Old Bailey

se “thjesht i pëlqente” dhe ishte “i mahnitur nga arkitektura”. Ai u shpall fajtor për tentativë mbledhje informacioni të dobishëm për terrorizëm dhe u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg.

Goditje ndaj inteligjencës iraniane

Shënjestrimi i gazetarëve dhe disidentëve kritikë ndaj regjimit, ka qenë një tipar i vazhdueshëm i operacioneve të jashtme të Iranit. Por tani ekziston frika se këto grupe mund të përdoren për sulme në tokën britanike, si hakmarrje për sulmet ushtarake të Donald Trump ndaj Iranit.

Javën e kaluar, inteligjenca britanike ka shtuar monitorimin e celulave të fjetura iraniane dhe grupeve proxy në Mbretërinë e Bashkuar. Të premten e shkuar, 4 burra u arrestuan në Londrën Veriore dhe Hertfordshire nën dyshimin se punonin për inteligjencën iraniane në një komplot për survejim të individëve dhe objekteve të lidhura me komunitetin hebre.

Arrestimet ishin pjesë e një hetimi kundër‑terrorizmit që zgjati disa muaj, ku u arrestuan edhe 6 burra të tjerë në Londrën Veriore për ndihmë ndaj të dyshuarve. Hetuesit kanë marrë më shumë kohë për t’i pyetur si pjesë e hetimit mbi një celulë të dyshuar për spiunazh në favor të regjimit iranian.

Pas arrestimeve, kryeministri britanik Sir Keir Starmer deklaroi: “Shërbimet tona të sigurisë të nivelit botëror, nuk do të hezitojnë të mbrojnë qytetarët. Ka nga ata që do të përpiqen të shfrytëzojnë momente të tilla për të përçarë shoqërinë. Është jetike që tani të bashkohemi si komb, të bashkuar në qëllimin e përbashkët…”.

Komplotet iraniane jashtë vendit morën një goditje shtesë këtë javë, pasi Yahya Hosseini Panjaki - një oficer i inteligjencës iraniane i akuzuar nga autoritetet amerikane për drejtimin e planeve globale të atentateve - u vra gjatë sulmeve të Donald Trump mbi Teheranin.

Një burim i Ministrisë së Jashtme na tha se Panjaki shërbente si urë lidhëse mes Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit dhe Gardës Revolucionare Islamike, duke qenë “shumë i përfshirë” në komplotet e spiunazhit jashtë vendit.

Megjithatë, sipas një burimi të Whitehall-it, pas vdekjes së tij ekzistojnë “tre nivele pasardhësish” të gatshëm për të marrë rolin e tij, ndërsa rrjetet e gjera që ai ndërtoi mbeten aktive.

Në përgjigje të sulmeve amerikane, propaganda online e Iranit e lidhur me kanalet e rekrutimit është intensifikuar ndjeshëm. Ditët e fundit janë shpërndarë postime me video dhe imazhe satelitore, që pretendojnë të tregojnë goditje mbi objektiva perëndimore, përfshirë bazën ajrore britanike RAF në Qipro.

Sipas zyrtarëve të sigurisë, kjo fushatë propagandistike është pjesë e ambicies së Teheranit për të përhapur mesazhe mobilizuese mes mbështetësve të regjimit. “Dërgimi i mesazhit mbi shtrirjen e tyre, është pjesë e synimit për krijimin e një atmosfere pasigurie” - tha një burim britanik kundër terrorizmit. Rezultati është një lloj i ri rrjeti i fshehtë, më pak i ngjashëm me një organizatë klasike spiunazhi dhe më shumë me një “gig‑economy” klandestine.

Për agjencitë perëndimore të inteligjencës, këto metoda paraqesin një sfidë në rritje, pasi kombet armiqësore përpiqen të projektojnë fuqi dhe të rekrutojnë jashtë vendit pa dërguar operativët e tyre zyrtarë./Pamfleti nga “The Intelligent Paper”

irani kriminelë evropianë spiunë

Lini një Përgjigje