Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se beson se Izraeli do të tërhiqet nga Libani jugor, duke theksuar se për këtë çështje ka zhvilluar bisedime me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Gjatë një takimi me presidentin sirian, Ahmed al Sharaa, Trump u pyet nëse mendon se Izraeli do të largohet nga territori libanez, pasi gjatë konfliktit me Iranin ka zgjeruar praninë e tij në veri dhe më thellë në Libanin jugor.
"Fola me Bibin (Benjamin Netanyahun) për këtë, mendoj se do ta bëjnë, mendoj se duan ta bëjnë. Po shkojnë mirë me Libanin. Marco Rubio foli për këtë", tha Trump.
Pas deklaratës së Trump, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, foli gjithashtu për mundësinë e një marrëveshjeje mes Izraelit dhe Libanit. Presidenti amerikan shtoi se "mendoj se do të shkojë shumë mirë".
Megjithatë, pavarësisht optimizmit të shprehur nga zyrtarët amerikanë, situata në terren mbetet e tensionuar. Luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut në Libanin jugor kanë qenë një nga frontet kryesore të konfliktit rajonal të lidhur me Iranin.
Teherani ka deklaruar se tërheqja e forcave izraelite nga territori libanez është një kusht i panegociueshëm për çdo marrëveshje të përhershme paqeje. Ndërsa Izraeli, ka vijuar operacionet ushtarake kundër Hezbollahut, dhe zyrtarë të qeverisë izraelite kanë përsëritur se synojnë krijimin e një zone tampon në Libanin jugor për të garantuar sigurinë e zonave veriore të vendit.
Lini një Përgjigje