Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur me ironi Sali Berishës nga foltorja e Kuvendit, duke e uruar për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike, ndërsa mbrojti investimin e planifikuar në Zvërnec dhe bilancin ekonomik të qeverisë.
Reagimi i Ballës erdhi pasi Berisha sulmoi qeverinë për projektin në Zvërnec, aeroportin e Vlorës dhe zhvillimin e turizmit, duke paralajmëruar se fundi politik i Edi Ramës nuk do të jetë në “katund”, siç tha vetë kryeministri, por në qeli.
Nga ana tjetër, Balla u ndal te investimet e huaja dhe projekti që pritet të zhvillohet në Zvërnec, të cilin e cilësoi si investimin më të madh në historinë e vendit.
“Nuk mund të mos e vlerësoj faktin dhe qëndrimin pro investimit. Një investim historik, më i madhi në historinë e Shqipërisë, për të cilin do të flas pak më poshtë. U tha këtu se investimet e huaja kanë rënë. Tani, investimet e huaja direkte, në vitin 2012, që ishte viti i fundit i juaji në pushtet zoti Sali, ishin 666 milionë euro. Në vitin 2025, shifra e investimeve të huaja direkte shkon 1.64 miliardë euro. Pra investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me të paktën 2.5 herë”, deklaroi Balla.
Më pas, socialisti ironizoi procesin e zgjedhjes së Berishës në krye të Partisë Demokratike, duke iu referuar mungesës së garës reale.
“Por zotëria, që urime edhe për zgjedhjen në krye të PD-së dhe nuk dihej se kush fitonte. Por pas kësaj gare kaq të fortë, të luftuar deri në minutën e fundit, fitoi zoti Sali. Ndërkohë i bashkohem edhe urimit të Piter Bayer, me të gjitha kuptimet që kishte brenda urimi i tij”, tha Balla mes ironisë.
Kreu i grupit socialist foli edhe për ecurinë e ekonomisë, duke pretenduar se Shqipëria ka trefishuar Prodhimin e Brendshëm Bruto gjatë viteve të fundit.
“Ndërkohë sa i përket PBB, GDP-ja ishte diku poshtë 10 miliardë euro, ndërkohë në 2025 e kemi kaluar 27 miliardë euro. Pra e kemi 3-fishuar ekonominë e vendit në një kohë kaq të shkurtër. Asnjë vend nuk e ka bërë këtë në kaq pak kohë”, u shpreh ai.
Në fund, Balla iu përgjigj edhe kritikave për aeroportin e Vlorës dhe pretendimeve të opozitës për turizmin.
“Meqë u tha diçka edhe për aeroportin e Vlorës, aeroporti i Vlorës është ndërtuar, po përfundon, aty ku ka qenë gjurma e aeroportit të Vlorës prej 100 vitesh. Numri i turistëve, këtu pastaj na ndjeni, se të qeshurën nuk e mbajmë dot. Pas pak ditësh, për herë të parë në Rinas do të inaugurohet fluturimi i parë ndërkontinental, nga Tirana në Toronto”, deklaroi Balla.
Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës vjen në një kohë kur debati politik është zhvendosur te investimi i planifikuar në Zvërnec, projekt që qeveria e konsideron strategjik për turizmin, ndërsa opozita dhe aktivistët e kundërshtojnë duke ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe interesin publik.
Lini një Përgjigje