Kombëtarja shqiptare ka regjistruar humbjen e dytë radhazi në ndeshjet miqësore, pasi u mposht me rezultatin 0-1 nga Luksemburgu në stadiumin “Air Albania”. Pas disfatës së mëparshme ndaj Izraelit, kuqezinjtë nuk arritën të reagonin, duke lënë sërish shije zhgënjyese para tifozëve.
Në përfundim të takimit, trajneri Rolando Maran u shpreh i pakënaqur me rezultatin, duke theksuar se skuadra nuk bëri mjaftueshëm për të marrë atë që synonte nga kjo përballje.
“Angazhimi i lojtarëve ka qenë i madh, por ky nuk është rezultati që dëshironim. Nuk kemi bërë mjaftueshëm mirë dhe po paguajmë edhe gabimet e mbetura nga raundi kualifikues. Këto dy ndeshje kanë shërbyer për ta njohur më mirë skuadrën dhe për të identifikuar aspektet që duhen përmirësuar”, deklaroi Maran.
Sipas teknikut italian, goli i pësuar në minutat e para ndikoi në ekuilibrin e skuadrës, ndërsa përpjekjet për të gjetur rrugën e rrjetës krijuan hapësira që kundërshtari arriti t’i shfrytëzonte.
“Duhet të analizojmë me kujdes çfarë nuk ka funksionuar në këto dy ndeshje. Pësimi i golit herët na destabilizoi dhe dëshira për të barazuar na bëri të humbnim ekuilibrin në fushë. Janë situata që nuk duhet të përsëriten dhe që duhet t’i korrigjojmë sa më shpejt”, tha ai.
Maran u ndal edhe te gjendja fizike e disa futbollistëve, duke nënvizuar se një pjesë e lojtarëve kanë ardhur në grumbullim me pak minuta aktivizimi ose pas një sezoni të gjatë e të lodhshëm.
“Ka lojtarë që ende po i njoh. Disa prej tyre kanë pasur pak minuta në klubet e tyre dhe kjo është reflektuar edhe në aspektin fizik. Këto dy ndeshje më kanë ndihmuar të krijoj një ide më të qartë për grupin dhe për zgjedhjet e ardhshme”, u shpreh trajneri.
Një tjetër shqetësim mbetet mungesa e golit. Shqipëria mbylli dy ndeshjet miqësore pa shënuar asnjë herë, duke totalizuar 180 minuta pa gjetur rrugën e rrjetës.
“Këto dy humbje peshojnë shumë, veçanërisht përpara tifozëve tanë. Prisja një reagim dhe përmirësim pas ndeshjes së parë, por kjo nuk ndodhi. Duhet të kemi parasysh edhe aspektin psikologjik, pasi lojtarët vazhdojnë të ndihen të zhgënjyer nga moskualifikimi në Kupën e Botës”, tha Maran.
Megjithatë, trajneri evidentoi edhe disa elementë pozitivë, duke vlerësuar përkushtimin dhe gatishmërinë e futbollistëve.
“Përgjegjshmëria dhe motivimi i lojtarëve janë aspektet më pozitive. Kam shfrytëzuar këto ndeshje për të testuar dhe njohur më mirë disa futbollistë, në mënyrë që të jem më i përgatitur për sfidat vendimtare që na presin. Do të vazhdojmë të punojmë për të përmirësuar atë që nuk funksionoi”, përfundoi trajneri i Kombëtares.
Futbolli eshte kethyer ne rrjetin me Mafioz ne bote. Ja kalon edhe biznesit te droges. Behet rotacion i trainereve, lojtareve, shitje blerje, sponsore, blerje ekipesh, korruptim arbitrash, pastrim paraje, biznese veshjesh sportive ku nderrohet cdo vit dizenjo e fanells, manipulime cimesh te biletave, bashkepunim me kompanite e basteve, diferenca skandaloze e pageses se lojtare brenda nje ekipi e lista nuk mbaron.