Botërori 2026 ka nisur të shoqërohet me polemika që në fazat e para të organizimit të tij. Kontesti më i fundit ka shpërthyer mes FIFA-s dhe kombëtares së Egjiptit, pasi qeveria e futbollit botëror ka kërkuar ndryshime në uniformat zyrtare të “Faraonëve”.
Sipas kërkesave të FIFA-s, Egjipti duhet të bëjë dy modifikime kryesore në fanellat e ekipit kombëtar. E para lidhet me heqjen e shtatë yjeve që ndodhen mbi stemën e Federatës, ndërsa e dyta me ndryshimin e ngjyrës së numrave të lojtarëve.
Shtatë yjet në logon e Egjiptit përfaqësojnë shtatë titujt e fituar në Kupën e Kombeve të Afrikës, kompeticioni më prestigjioz në kontinent. Kombëtarja egjiptiane është rekordmene e këtij turneu, duke triumfuar në edicionet 1957, 1959, 1986, 1998, 2006, 2008 dhe 2010.
Megjithatë, FIFA ka bërë të ditur se gjatë Botërorit në stemë mund të mbahen yje vetëm nga kombëtaret që kanë fituar Kupën e Botës. Për këtë arsye, Egjiptit i është kërkuar t’i heqë ato nga uniformat që do të përdoren në turne.
Një tjetër pikë e diskutueshme është ngjyra e numrave në fanella. Prej vitesh, Egjipti përdor numra me ngjyrë ari, një element karakteristik i dizajnit të uniformës. Por FIFA e konsideron të domosdoshme që numrat të jenë sa më të dukshëm për arbitrat, spektatorët dhe transmetimet televizive.
Për këtë arsye, organizata ka kërkuar që numrat të zëvendësohen me ngjyrë të bardhë, duke garantuar kontrast më të madh dhe identifikim më të lehtë të lojtarëve gjatë ndeshjeve të Botërorit 2026.
Vendimi ka ngjallur reagime në opinionin sportiv, pasi yjet në stemë konsiderohen pjesë e rëndësishme e identitetit të kombëtares egjiptiane dhe simbol i suksesit të saj në futbollin afrikan.
Lini një Përgjigje