Erling Haland po konfirmohet si një nga protagonistët kryesorë të Botërorit 2026. Me shtatë gola të shënuar deri tani, sulmuesi norvegjez ka qenë vendimtar në rrugëtimin e Norvegjisë drejt çerekfinaleve, ku do të përballet me Anglinë.
Përballja me "Tre Luanët" sjell në vëmendje një detaj interesant të karrierës së tij. Haland mund të kishte veshur fanellën e Anglisë, pasi ka lindur në Lids, në periudhën kur babai i tij, Alf-Inge Haland, ishte futbollist i skuadrës së këtij qyteti.
Pas disa vitesh, familja u rikthye në Norvegji, ku Alf-Inge përfundoi karrierën si futbollist, ndërsa Erling hodhi hapat e parë në futboll dhe u formua si lojtar.
Edhe pse kishte të drejtën të përfaqësonte Anglinë për shkak të lindjes dhe shtetësisë britanike, Haland zgjodhi Norvegjinë. Ai ka theksuar se ndihet i lidhur me vendin ku u rrit dhe me origjinën e familjes së tij.
"Nuk do ta dimë kurrë se si do të kishin rrjedhur gjërat nëse babai im do të kishte luajtur më shumë vite në Angli. Por unë jam norvegjez dhe krenar për këtë", është shprehur Haland në një intervistë të dhënë disa vite më parë.
Tashmë, fati ka bërë që sulmuesi të përballet pikërisht me Anglinë në çerekfinalet e Botërorit, këtë herë si lideri i përfaqësueses norvegjeze.
Lini një Përgjigje