Editorial20 Maj 2023, 13:17

Fenomeni Arlind Qori, një mundësi që mund të kthehet në alternativë

Shkruar nga Pamfleti
Fenomeni Arlind Qori, një mundësi që mund të kthehet në
Arlind Qori

Fenomeni Arlind Qori, i ka të gjitha prerogativat e një formacioni politik të mirëmenduar dhe mirëformuar. E tjetër argument në këtë aspekt është se ai nuk e shikon kandidimin në Tiranë si një garë që do të shuajë lëvizjen, por si fillimi i një rruge politike.

Arritja e kuotës prej mbi 13 mijë e 800 vota të Arlind Qorit në garën për kryetar bashkie i Tiranës, tregon tekstualisht një numër të barazvlefshëm për deputet.

Një kuotë, madje më e madhe se Roland Bejko, i cili gjithsesi kishte pas vetes struktura territori të Partisë Demokratike.

Në historinë e zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, që përbën Shqipërinë në miniaturë, i vetmi outsider, pra kandidat jashtë partive që ka arritur një kuotë të lartë, ka qenë Gjergj Bojaxhiu në vitin 2015. Bojaxhiu arriti të marrë gati 16 mijë vota.

Edhe pse ai u shfaq si një kandidat outsider, gjithsesi Gjergj Bojaxhiu vinte si një profil nga e djathta politike në Shqipëri, pasi ka qenë zyrtar i qeverisjes së PD-së, në mandatin e parë dhe pak mandatin e dytë.

Gjithsesi, ai mori mjaft vota kryesisht nga krahu gri i shoqërisë, ndoshta edhe vota individësh të mërzitur me Edi Ramën, por ishte krejt herët për të ndodhur kjo. Sepse Edi Rama ishte në mandatin e parë, e ka gjasa që vota e majtë, të mos ketë anuar tek Bojaxhiu.

Leximi i atyre votave ishte panorama e një vizioni për një të djathtë pa Sali Berishën dhe zellin për të rinovuar elitën e politikës shqiptare.

Ndërkaq, Arlind Qorri, kësaj radhe ka marrë dukshëm një mbështetje që është një kozmos politik krejt i ndryshëm nga individët që në të shkuarën kanë guxuar të garojnë.

Ky kozmos politik nëse vihet re nga qendrat e votimit ku përgjithësisht Qori ka numër më të madh votash, është mjaft domethënës.

Arlind Qori ka marrë numrin më të madh të votave jo në zonat që konsiderohen si “Tirana cool” apo në vendin ku jetojnë pasanikët, por në lagjet popullore ku dominojnë pallatet e vjetra të kohës së Enverit dhe jo kullat apo ndërtimet e pas viteve 90. Kombinat, Kinistrudio, zona e Porcelanit, Xhamllëku, por edhe lagje të reja si Astiri e Yzberishi, ku jetojnë përgjithësisht njerëz të shtresës nga e mesmja deri në varfëri.

Ndërkaq, duke parë edhe aktivistët që kanë bërë fushatë me pedagogun e shkencave sociale, vihet re se i përkasin një moshë të re përgjithësisht, apo një gjenerate që konsiderohet si “brezi i humbur politikisht”, ngaqë vota e kesaj kategorie nuk se ndikonte në mënyrë determinante  në zgjedhjet shqiptare.

Një tjetër e dhënë e këtij fenomeni të ri politik, është se ai nuk ka lindur sot, por prej vitesh.

Natyrisht në lëmin e aktivizmit politik e social në Shqipëri, Arlind Qori dhe njerëzit përkrah tij, përbëjnë në fakt pjesën më adekuate të opozitës ndaj Edi Ramës. Aksioni i Qorit ka nisur menjëherë pasi është instaluar qeveria Rama në Shqipëri, pra pas vitit 2013. Mjaft përkrahës së qeverisë, e kanë parë këtë si një mundësi dyshimi për të gjetur lidhjen e lëvizjes së Qorit me segmente të opozitës së vjetër, kryesisht me LSI-në e Ilir Metës.

Por kandidimi i tij në Tiranë, kur publikisht ishte edhe personazhi më kundërshtar me Erion Veliajn, i ka shuar këto dyshime, pasi jo vetëm votat, por edhe fryma e tij natyrisht që e kanë dëmtuar më shumë Belind Këlliçin në përballjen elektorale.

Arlind Qori është parë sipas të gjitha mundësive, si një personazh totalisht opozitar, dhe një opozitar krejt i ndryshëm nga ajo çfarë përfaqëson treni defektoz i opozitës së sotme.

Ndërkaq, një tjetër zhvillim në lidhje me Arlind Qorin e lëvizjen “Bashkë”, është se ka qenë thuajse ndër të vetmit subjekte me program të mirëstudiuar, politik, social e ekonomik. Madje disa nga kandidatët, përfshirë edhe Këlliçin kanë kopjuar me copa programin social të Qorit.

Tjetër cilësi e kësaj lëvizje është edhe alokimi i saj në kozmosin politik europian. Madje pati edhe endorsement publik nga një emër i rëndësishëm europian, siç është Janis Varufakis. Profesori i ekonomisë, ish-ministri i financave të Tsipras në qeverinë e parë të tij, e sot një nga politikanët më të njohur të së majtës, që drejton partinë Mera25, e përfaqësuar në parlamentin grek.

E majta, pra jo socialdemokratët, por e majta klasike është një fenomen i ri dhe në rritje në të gjithë Europën. Në Spanjë është Podemos, në Francë, e majta e Melanchon, Linke në Gjermani etj.

Pra, fenomeni Arlind Qori, i ka të gjitha prerogativat e një formacioni politik të mirëmenduar dhe mirëformuar. E tjetër argument në këtë aspekt është se ai nuk e shikon kandidimin në Tiranë si një garë që do të shuajë lëvizjen, por si fillimi i një rruge politike. E kjo është mëse dialektike dhe e logjikshme. Një lëvizje, parti apo nismë politike, duhet të bëjë rrugë përpara se të vijë tek pushteti apo fitorja.

Vetëvendosja në Kosovë bëri 20 vjet rrugë të zhurmshme derisa ka ardhur sot në realitetin politik më të votuar në vend. Giorgia Meloni në Itali, ka një rrugë të gjatë me partinë e saj, e cila është opozitë që nga 1945-a etj etj.

Natyrisht Qori dhe lëvizja e tij, duhet të jenë më të qartë për çështje që në shoqërinë shqiptare konsiderohen terma politikë të nivelit të parë. Siç është NATO, aleanca me SHBA-në e Bashkimi Eruopian.

Aleatët e Qorit në Europë janë të gjithë anti SHBA, anti NATO e anti BE. Natyrisht, ky qëndrim edhe mund të piqet në bazë të mbështetjes që do të korrë rrugës, por më pozitivja do të ishte që të qartësohet sa më shpejt në shtyllat parimore, që në të ardhmen të mos inprovizojnë. Siç ndodhi me Vetëvendosjen, e cila ishte një lëvizje e majtë në fillim, reaktive, kritike me SHBA e BE-në, por për tu bërë forcë popullore ju desh aleanca edhe me pjesë të tjera të shoqërisë, siç janë komuniteti i besimtarëve radikalë muslimanë, hoxhallarët dhe lobi rreth tyre, por edhe votuesit e ish-Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjithsesi Arlind Qori është profilizuar si një personazh serioz më shumë se të tjerët, se Nisma Thurje apo Adriatik Lapaj etj, të cilët kanë rrugë për të bërë gjithashtu, por edhe për të qenë me konsistentë në propozimet e tyre. Ndryshimi i herëpashershm i qëndrimeve nga të djathta në të majta ka bërë që të mos merren aq seriozisht gjatë garave zgjedhore.

Në 14 maj, Arlind Qori, ka marrë më shumë vota sesa partia e tij në këshillin bashkiak. Jo pak por rreth 6 mijë vota më shumë, e që tregon se që tani ai ka një karizëm politik që e kalon cakun e elektoratit që voton Lëvizjen Bashkë si një formacion majtist.

Nga i kanë ardhur ato 6 mijë vota? Sipas gjasave, ata nuk janë thjesht vota majtas, por nga shumë pjesë të elektoratit në mënyrë transversale. Që tregon se ai që tani është një mundësi që mund të kthehet në alternativë./Pamfleti  

arlind qori alternativa e majtë