TAGS-AT E JAVËS

Editorial 8 Qershor 2026, 15:25

Një brez në protestë, një shpresë e re për Evropën

Shkruar nga Lea Ypi
Një brez në protestë, një shpresë e re për
Lea Ypi dhe protestat

Shqipëria nuk ka nevojë të arrijë Europën – ajo mund të udhëheqë. Një brez i gatshëm të mobilizohet për një model alternativ zhvillimi, që refuzon kapjen oligarkike dhe lidh mbrojtjen e mjedisit me legjitimitetin demokratik, nuk duhet të shihet me frikë, por të festohet. Në vend që të bëhet “si pjesa tjetër e Europës”, siç thoshte dikur slogani i vjetër, Shqipëria mund t’i japë kontinentit të vjetër një mësim...

“Kështu e zbuluam. Notuam deri në ishull, u ngjitëm zbathur deri në majë dhe mbetëm të mahnitur. Dhe, gjatë shumë viteve, krijuam mundësinë për të ndihmuar në realizimin e potencialit të tij.”

Nëse gruaja që po shprehte dëshirën e saj për të përmirësuar një ishull të huaj do të kishte zbritur nga një varkë kontrabandistësh, ëndrra e saj do të ishte shuar në një nga ato qendra ndalimi për emigrantët që qeveria shqiptare ka ndërtuar së fundmi në bashkëpunim me Italinë. Por mjeti lundrues në fjalë ishte një jaht dhe gruaja që u ngjit zbathur deri në majë ishte Ivanka Trump. Për të realizuar ëndrrën mjaftoi të thërriste kryeministrin e vendit, Edi Rama, dhe të vinte në dispozicion bashkëshortin e saj, Jared Kushner, si edhe një nga kompanitë e tij, për ta shndërruar një zonë të mbrojtur natyrore në pasuri të paluajtshme luksoze.

Qeveria shqiptare këmbëngul se asnjë marrëveshje nuk është finalizuar. Por ajo nuk e ka fshehur as entuziazmin e saj. Dhe kush mund ta fajësojë? Pas dekadash tranzicioni nga komunizmi në kapitalizëm dhe negociatash të gjata për anëtarësimin në BE, Shqipëria ka humbur më shumë se 1.2 milionë qytetarë nga emigracioni. Ajo ka nivele të ulëta të prodhimit industrial, një sektor bujqësor që ka nevojë urgjente për modernizim dhe një sistem të arsimit të lartë në krizë që prej privatizimit të universiteteve në vitet 1990. Pa kapital industrial, financiar apo njerëzor për të ofruar në tregun global, e vetmja gjë që mbetet për t’u shitur është natyra. Edhe turizmi, i cili së fundmi ka njohur rritje, ka kërkuar një fushatë të koordinuar qeveritare për të përmirësuar imazhin e vendit.

Zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit janë të lehta për t’u kërkuar, por të kushtueshme dhe të vështira për t’u realizuar. Në kushtet e globalizimit konkurrues, pasuritë e paluajtshme dhe turizmi luksoz gjenerojnë rritje më shpejt, edhe pse rrisin pabarazinë dhe shterojnë burimet natyrore. Modelet që ofrohen janë pikërisht ato që vendet më të pasura i provuan 30 vjet më parë dhe tani i shohin me pendesë.

Shqiptarët e dinë se spekulimi me pasuritë e paluajtshme, pa mbështetjen e shtetit, do të thotë që qytetarët e zakonshëm do ta kenë të vështirë të blejnë një banesë apo të paguajnë qiranë. Ata e dinë se turizmi luksoz nënkupton që pushimet në vendin tënd bëhen privilegj i një pakice. Pa sindikata për t’u përmendur dhe me një lëvizje punëtore që shfaqet vetëm në pamjet e paradave të 1 Majit të epokës komuniste, kushtet e punës janë aq shfrytëzuese sa vetëm njerëzit nga vende edhe më të dëshpëruara pranojnë të marrin vendet e punës që krijohen. Shqiptarët thjesht mbledhin gjërat e tyre dhe largohen drejt vendeve të tjera, ku përballen me abuzime dhe ksenofobi. Ata mbajnë kokën ulur, duke e ditur se ky është çmimi që duhet paguar për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.

Në maj 2025, Partia Socialiste në pushtet fitoi zgjedhjet për herë të katërt. Me rreth 44%, pjesëmarrja në votime shënoi nivelin më të ulët historik, pavarësisht zgjerimit të së drejtës së votës për diasporën shqiptare për herë të parë. Nuk pati manifest elektoral, as debat parimor me opozitën (udhëheqësi i së cilës, Sali Berisha, në rrjetet sociale të qeverisë shfaqej kryesisht i paraqitur si një buf). Në një vend ku më shumë se 90% e qytetarëve mbështesin integrimin europian, mjaftoi të mbusheshin billboard-et me fotografi pasaportash europiane dhe të përsëritej pa pushim një datë: anëtarësimi deri në vitin 2030.

Kjo është ana tjetër e integrimit europian: kritika ndaj qeverisë shndërrohet në kundërshtim ndaj vetë Europës. Nuk ekziston zgjedhja mes vizioneve konkurruese për shoqërinë, por vetëm mes menaxherëve të ndryshëm të së njëjtës trajektore të pashmangshme. Me politikën e reduktuar në qeverisje teknokratike, e vetmja lente përmes së cilës lexohet konflikti politik është “korrupsioni”: sikur shoqëritë postkomuniste ta kishin atë në gjak, sikur problemi të qëndronte te shkeljet individuale dhe jo te vetë rregullat e lojës.

Për shumë vite shqiptarët e pranuan këtë me të njëjtin fatalizëm me të cilin pranohet një fatkeqësi natyrore. Tani, të rinjtë po kundërshtojnë. Protestat aktuale lidhen me një ligj të kohëve të fundit për investimet strategjike, i cili forcon kapjen oligarkike të shtetit. Situata u përshkallëzua kur makineritë e rënda hynë në një ligatinë bregdetare të mbrojtur dhe një video virale tregoi roje private sigurie duke rrahur një protestues, ndërsa policia e shtetit qëndronte pranë pa ndërhyrë.

Një brez i edukuar të mendojë se pyetjet e vetme janë sa shpejt duhet ndërtuar infrastruktura për turizmin, sa shpejt duhet integruar vendi në BE dhe sa me efikasitet duhen tërhequr investimet, tani po pyet: a duhet të jetë domosdoshmërisht kështu? A duhet demokracia të jetë sundimi i një grushti super të pasurish?

Është një shembull frymëzues i aktivizmit qytetar që nuk e kisha parë që nga rënia e komunizmit, dhe dukshmëria e tij ndërkombëtare padyshim është ndihmuar nga vëmendja mediatike ndaj familjes Trump. Por pse pikërisht tani? Opozita u përpoq më kot për vite me radhë të mobilizonte publikun kundër korrupsionit. Në parlament janë ndezur zjarre dhe ndaj godinave qeveritare janë hedhur kokteje molotov. Por, në rastin e Kushnerit, opozita është në një mendje me qeverinë. Ndoshta pikërisht kjo bëri të mundur që mijëra të rinj të dilnin në rrugë: siguria se mosbindja e tyre nuk do të përvetësohej politikisht. Është prekëse t’i shohësh duke kënduar, vallëzuar, pastruar rrugët pas protestave dhe duke u dhuruar lule policëve. Ndryshe nga opozita e vjetër, ata nuk po heqin dorë nga shteti, por po këmbëngulin se ai u përket atyre.

Vitet e fundit, përgjigjja ndaj përjashtimit politik në Europën postkomuniste ka qenë rritja e lëvizjeve ksenofobe. Vetëm e djathta ekstreme ka përfituar nga protestat kundër sistemit. Rasti shqiptar dëshmon se një lloj tjetër mobilizimi është i mundur. Larg nacionalizmit regresiv apo nostalgjisë, thirrja e vetme e lëvizjes, “Shqipëria nuk është në shitje”, pasqyron diçka që qeveria socialiste e ka harruar: se vetërespekti është kushti paraprak për t’u respektuar nga të tjerët dhe se një popull i gatshëm të shesë shpirtin për investime do të zbulojë, në fund, se shpirti ishte e vetmja gjë me vlerë që kishte.

Ka diçka të admirueshme dhe njëkohësisht të brishtë te një lëvizje pa udhëheqës, pa program dhe pa infrastrukturën e nevojshme për t’u mbështetur në afat të gjatë. Lëvizjet pa liderë janë më të vështira për t’u kooptuar, por më të lehta për t’u infiltruar dhe shpërndarë. Për të qenë efektive, ato duhet të kalojnë nga rezistenca te propozimi, duke gjetur unitetin politik që është shtypur nga përqendrimi rreth një kauze të vetme.

Megjithatë, për sa kohë politika demokratike mbetet e kapur nga një pakicë e pasur, politikanët do të vijnë e do të ikin, gjyqet antikorrupsion do të kënaqin dëshirën për ndëshkim dhe aktivizmi qytetar do të krijojë iluzionin e ndryshimit. Njëra pas tjetrës, shoqëritë do të përballen me të njëjtat paradokse të zhvillimit kapitalist. Sfida nuk është vetëm se si të zëvendësohen individët, por se si të ndërtohet një sistem i ri.

Megjithatë, për një herë të vetme, Shqipëria nuk ka nevojë të arrijë Europën – ajo mund të udhëheqë. Një brez i gatshëm të mobilizohet për një model alternativ zhvillimi, që refuzon kapjen oligarkike dhe lidh mbrojtjen e mjedisit me legjitimitetin demokratik, nuk duhet të shihet me frikë, por të festohet. Në vend që të bëhet “si pjesa tjetër e Europës”, siç thoshte dikur slogani i vjetër, Shqipëria mund t’i japë kontinentit të vjetër një mësim mbi vetërespektin. /Marrë nga “The Guardian

protesta lea ypi

5 Komente

  1. G
    Gj.Kola

    Nëse refuzon midelin e zhvillimin perendimore dhe glibalizimun c'ne që vendos të shkosh per të jetuar atje?

    1. A
      Aleksander

      Lea u perkedhel nga Rama para ca kohesh se ndoshta e bente ministre apo edhe kryeministre,,,tralala,,,vajza e nje familjeje atdhetare e cila ka vuajtur nje mije te zeza nga komunistet vjen dhe behet komuniste,,tralala..

      1. F
        Fiqiriu

        Rama e boshatisi me qëllim PS nga kush mund ti bënte oponencë! Të tjerët i çoji për “dardha” dhe natyrisht nuk mund të rrijë gjithë jetën kryeministër dhe pse do të donte shumë. Kjo “profesorja” që flet shumë dhe nuk thotë azgjë do të ishte më se e përshtatshme për të kur të zbythi Bajramin e ti zërë karrigen. Me një gurë vrer shumë zogj. Grua, “intelektuale e majtë”, familje e dëgjuar dhe me prejardhje të dathtë dhe çfarë është më e rëndësishme pa asnjë mbështetje e shanc ti dali kundër. E kush nga petalet socialiste të “Zegjinezuara” do ti thotë jo??!! Ky Makbeth i SHqipërisë ka kohë që i ka bërë llogaritë, që kur buzëqeshte me shtirje si ministër mbas kurrizit të kryeministrit Meta. Të shohim se si do përfundojë.

      2. f
        fshatari.pafshat

        Po si mundet qe Ne te behemi shembull per Europen nderkohe qe vete Europa na krijoi Ne mbas vitit 1990???!!! Te meresh me IT nuk do te thote se mund te besh edhe politiken kombetare. Sepse del si puna e mjekut Sali Berisha,apo piktorit.

        1. A
          AT

          Pertej protestes qe vlen pavaresisht se nga kush e pse ndodh; kjo e shkreta shkruan libra, ben protagonisten e shtrydh trute se e ka egon ne ngerç - duhej te trashegonte te paster kuptimin e vuajtjeve te te pareve te saj nderkohe qe eshte perfunduar vete ne nje marionete llapaqene marksizmash promovuar nga soros

          Lini një Përgjigje

          Editorial