Editorial 2 Mars 2024, 12:19

Nga populli i 2 Marsit te zogjtë nën ballkon

Shkruar nga Pamfleti

 

Nga populli i 2 Marsit te zogjtë nën ballkon
Berisha dhe Meta /

 I burgosuri ish president dhe ish- presidenti deri në vitin 2022, të dy janë kthyer në ‘Circe’, personazhi mitik i Odisesë që ia ktheu ushtarët në derra...

Sot, në 2 Mars, nga gjithë ajo që ndodhi në vitin 2021, kanë mbetur vetëm këto: Ballkoni në katin e tetë, një strehë ku banori i atij ballkoni hedh herë ujë e hedh thërrime për ata poshtë tij që mblidhen si zogj... Ekrani i televizorit dhe megafoni janë shtuar. Të tjerat nuk janë më.

Çfarë do të ishte tjetër?

Atëherë ishte edhe një burrë i shkurtër që quhej ‘burrë i madh’ për shkak jo thjesht të kokës, por të postit që mbante si president i Republikës. Ishin edhe ca turma njerëzore politike që dy kryetarët e PD ia kishin dhuruar atij ‘burrit të madh’ dhe ai luante ‘harushë’ me ta.

Burri president kishte njoftuar se diku në Malin me Gropa ndodheshin edhe ‘marinsat amerikanë’ që kishin zbarkuar ‘për të vrarë presidentin Meta’. Ky, për t’u dal ballë për ballë amerikanëve, thërriti ‘popullin e 2 Marsit’, u ul në gjunjë dhe ngatërroi gishtat në atë formë saqë u duk sikur doli figura e një zogu...

Tani kanë mbetur vetëm figurat në formë zogjsh që mblidhen çdo mbrëmje nën ballkonin e të burgosurit. I burgosuri ish president dhe ish- presidenti deri në vitin 2022, të dy janë kthyer në ‘Circe’, personazhi mitik i Odisesë që ia ktheu ushtarët në derra. Gjithë popullin e 2 Marsit këta e kanë kthyer në ‘derra’ d.m.th., në zogj që mbledhin thërrimet nën strehën ku Berisha ka edhe ballkonin por edhe një banjë të improvizuar.

Sikur të ishin aq të fuqishëm sa t’ia dilnin ta kthenin gjithë popullin, ose edhe një shumicë, në ‘derra’ ose ‘zogj’ si këta njëzet që hapin gojën çdo natë nën ballkon, atëherë do të kishin pushtuar botën. Ëndrra e tyre kjo ishte, që me ‘ushtarët derra’ të luftonin kundër superfuqive dhe të dilnin fitimtar. Këtu ka qenë edhe një tjetër gjeneral si këta, aty nga viti 1914, i cili pat deklaruar se  ‘me Rrogozhinë e Peqin’ do të marr Europën.

Tani kjo bota jonë ka ndryshuar aq shumë saqë republika e re post Metë e post Berishë, presidentin e ka nga Rrogozhina post- Qamiliste. Ndërsa dy ‘gjeneralët’ e 2 Marsit kanë  shkuar në harresën thuajse si Haxhi Qamili. Nuk kanë as ushtarë, as Peqin, as Kavajë, as Rrogozhinë.

E jo më të kenë popull të 2 Marsit apo 1 Prillit!?

Projekti ‘skenderbejan’ për të ndërtuar një popull alias 2 Mars, ishte një projekt për ta ndotur dhe pushtuar përsëri Shqipërinë, ashtu sikurse bënë më parë. Ishte projekt për të mbrojtur krimin e kryer. Ishte projekt për të lënë në fushën e betejës, jo vetëm popullin ‘2mars’, por edhe vetë Shtetet e Bashkuara dhe një për një Evropën.  

Dilni në orët e mbrëmjes, sapo të errësohet, nën ballkon shihen vetëm ca pendë zogjsh që presin ushqim. Ata kanë marrëveshjen e  vetme në fund të jetës:

Që të shfaqen aty gjatë errësirës, që të mos i njohin se mos turpërojnë të vegjlit./Pamfleti

populli i 2 marsit zogjtë nën ballkon