Pamfleti mëson se drejtuesi i mjetit ishte Ilir Pujo, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), aktualisht me gradën gjeneral dhe i pozicionuar prej shkurtit 2022 në strukturën e NATO-s në Bruksel.
Një aksident i rëndë në Fier mori vëmendjen e opinionin publik javën e kaluar, ku një akt trimërie dhe humanizmi u shënua në Qafë Koshovicë, me protagonist një polic të qarkullimit.
Por fatkeqësisht 15-vjeçari që u shpëtua nga efektivi Klajdi Mustaj, ka ndërruar jetë në spital disa ditë pas aksidentit tragjik të ndodhur në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”.
I mituri, i cili fillimisht i kishte mbijetuar aksidentit falë ndërhyrjes heroike të një efektivi të Policisë së Shtetit, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Por ajo që e bën këtë ngjarje edhe më të rëndë është se drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin rezulton të jetë një emër i lartë në strukturat e ushtrisë shqiptare, ndërkohë që institucionet e shtetit janë përpjekur me çdo kusht ta mbulojnë.
Pamfleti mëson se drejtuesi i mjetit ishte Ilir Pujo, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM), aktualisht me gradën gjeneral dhe i pozicionuar prej shkurtit 2022 në strukturën e NATO-s në Bruksel.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se Pujo ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të një problemi shëndetësor të menjëhershëm, konkretisht se i ka rënë të fikët, por nuk përjashtohet edhe pista që automjeti nuk kishte sistem frenimi funksional, çka hedh dyshime serioze për neglizhencë apo papërgjegjshmëri të rëndë nga ana e drejtuesit.
Aksidenti ndodhi në orën 20:00 të së premtes, kur automjeti tip “Benz”, me katër persona në bord, humbi kontrollin, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur, duke u bllokuar në një zonë të thepisur.
Brenda automjetit kishte tym të dendur dhe rrezik real për shpërthim. Në ato momente kritike ndërhyri efektivi 26-vjeçar i policisë, Klajdi Mustaj, i cili u hodh drejt makinës për të shpëtuar jetët e të bllokuarve. Pavarësisht se u dëmtua në këmbë gjatë përpjekjes, Mustaj nuk u tërhoq, por vazhdoi deri sa nxori të gjithë pasagjerët jashtë mjetit, në një situatë ku edhe vetë jeta e tij ishte në rrezik.
Në video që qarkulloi në rrjet, dëgjohet efektivi duke bërtitur për ndihmë dhe duke kërkuar urgjentisht ambulancë për të dëmtuarit. Por pas ditësh luftë për jetën në Spitalin e Traumës, 15-vjeçari nuk ia doli. Ajo që e bën këtë ngjarje më tronditëse është fakti se emri i personit përgjegjës për aksidentin, gjenerali Ilir Pujo, nuk është përmendur fare dhe Ministria e Mbrojtjes, institucioni ku ai i përket, nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike.
Për më tepër, është përfolur se vetë ministri Vëngu ka dhënë urdhër për të mbajtur të fshehur identitetin e tij, me qëllim që të mos shkaktohet skandal politik dhe institucional.
Fakti që një ushtarak i lartë, me poste kyçe në sigurinë kombëtare, përfshihet në një aksident që merr jetë njerëzish dhe më pas largohet pa pasoja, ndërkohë që e gjithë makineria shtetërore dhe mediatike hesht, është tregues i qartë i një sistemi të kalbur ku drejtësia vlen vetëm për të dobëtit.
Ndërkohë që polici i thjeshtë, Klajdi Mustaj, shpëton jetë me rrezik për veten dhe përfundon me lëndime në spital, gjenerali që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin që mori jetën e një të mituri, ndodhet i qetë në Bruksel, i paprekur, i mbrojtur dhe jashtë çdo përgjegjësie ligjore.
Askush nuk e ka thirrur për t’i marrë në pyetje, as Prokuroria nuk ka nisur ndonjë procedim penal, dhe siç duket, gjithçka po shkon drejt heshtjes totale.
Lini një Përgjigje