
Kryebashkiaku i Gramshit Besian Ajazi ka reaguar për herë të parë për mediat pas skandali në Gramsh, ku disa fëmijë u infektuan me salmonelë.
Ndërkohë që prindërit e fëmijëve po protestojnë para Bashkisë, kryebashkiaku është shfajësuar duke thënë se në kopsht nuk ka shërbim kateringu. Sipas tij, ushqimi i mbetur nuk ruhet por derdhet në mbeturina.
Ai tha gjithashtu se asnjë fëmijë nuk është shtruar në spital dhe kërkoi që ngjarja të mos përdoret nga politika.
“Ushqimi nuk funksionon me katering, por me furnizim nga një kompani dhe me gatim në ambientet e kopshtit me kuzhinier që prej vitesh ushqejnë vogëlushët. Bashkia ka përgjegjësitë e veta, përgjegjësia jonë është në momentin që bëhet furnizimi ne kërkojmë fletën e analizave. Më intereson shumë gjendja shëndetësore e vogëlushëve dhe gjendja shpirtërore e prindërve dhe asgjë tjetër që lidhet me protagonizmin e ndonjë palaçoje politike.
Nuk mundet që kryetari i bashkisë të dijë vlerën e tenderit. Procedura është e rregullt, institucionet janë të mirëpritura të kontrollojnë procedurat. Jemi në ditët e fundit, besoj se nuk do kemi raste të tjera”, tha ai për “A2 CNN”.
Disa fëmijë të kopshtit nr.1 në këtë qytet u paraqitën në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se u helmuan nga ushqimi i konsumuar. Nga analizat e tyre, rezultoi se nga 72 montra të marra 17 prej tyre rezultuan me bakterin salmonelë, ndërkohë që priten përgjigje të tjera.
Lini një Përgjigje