Pas 29 ditësh kërkimesh u gjet trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili rezultonte i zhdukur pas një aksidenti automobilistik.
Trupi i Jurgen Karajt u gjet rreth 30 kilometra larg vendit ku ndodhi aksidenti, në zonën e Klosit. Automjeti me të cilin udhëtonte Karaj së bashku me shokun e tij, Andi Losha, u aksidentua dhe përfundoi në një përrua në fshatin Darsë.
Gjetja e trupit i jep fund kërkimeve disa javore, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë plotësisht rrethanat e aksidentit që çoi në fundin fatal të 30-vjeçarit.
Në një deklaratë për "News 24", vëllai i viktimës, Endri Karaj ka falenderuar të gjitha strukturat e angazhuara në operacionin e kërkimit.
“Dua të falenderoj të gjithë ata që ndihmuan në gjetjen e vëllait tim. Falenderoj Forcat e Kosovës dhe ata të Shqipërisë që na ndihmuan”, tha ai.
Më herët, Endri Karaj kishte bërë thirrje publike të herëpashershme për intensifikimin e kërkimeve dhe përfshirjen e shtetit në zbardhjen e ngjarjes.
“Kërkoj të më gjejnë vëllanë dhe të ma sjellin në shtëpi. Ngjarjen ta zbardhë policia. Dua nga shteti të më gjejë vëllanë, ta ma sjellë në shtëpi, ta varros dhe ta di ku e kam”, deklaronte ai.
Lini një Përgjigje