TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet2026-06-15 20:54:00

Marshimi drejt Rinasit, policia procedon 19 persona për bllokimin e aksit Tiranë-Durrës

Shkruar nga Pamfleti
Marshimi drejt Rinasit, policia procedon 19 persona për bllokimin e aksit
Pamje nga marshimi dje

Policia ngre 3 akuza ndaj aktivistëve, procedohen 19 persona dhe sekuestrohen dy automjete 

Policia e Tiranës ka ndërmarrë veprime penale ndaj 19 personave që dyshohet se organizuan dhe drejtuan marshimin e protestuesve drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, aksion që çoi në bllokimin për disa orë të autostradës Tiranë-Durrës dhe krijimin e trafikut të rënduar në një nga akset kryesore të vendit.

Në një njoftim zyrtar, uniformat blu bëjnë me dije se pas hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë për 19 shtetas, të cilët konsiderohen organizatorë ose përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të aeroportit të Rinasit.

Sipas policisë, personat e proceduar akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” si dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Autoritetet njoftojnë gjithashtu se gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar dy automjete, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Në njoftim thuhet se organizatorët kishin njoftuar zhvillimin e një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas para Kryeministrisë, nga ora 18:00 deri në orën 22:00. Megjithatë, sipas policisë, gjatë zhvillimit të protestës janë bërë thirrje për vijimin e marshimit në drejtim të Aeroportit “Nënë Tereza”, duke dalë jashtë itinerarit të njoftuar më parë.

Gjatë zhvillimit të tij, sipas veprimeve hetimore të kryera, drejtues dhe organizatorë të tubimit kanë bërë thirrje për vazhdimin e lëvizjes së pjesëmarrësve nga zona përpara Kryeministrisë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lëvizja drejt Rinasit ishte një nga momentet më të debatuara të protestës së së dielës. Marshimi zgjati për disa orë dhe shkaktoi kolona të gjata automjetesh në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa një ditë më pas edhe brenda vetë protestuesve u shfaqën zëra kritikë që kërkuan të mos përsëriten më aksione të tilla.

Njoftimi i plotë

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera pas tubimit të zhvilluar më datë 14.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe procedimin penal të personave organizatorë dhe përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Në përfundim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: G. P., 36 vjeç; A. Ll., 29 vjeçe; A. Ll., 27 vjeçe; I. F., 32 vjeç; E. H., 33 vjeç; A. K., 46 vjeç; F. Rr., 28 vjeç; V. D., 29 vjeç; O. B., 21 vjeç; D. L., 57 vjeç; L. N., 20 vjeç; A. K., 29 vjeç; A. M., 23 vjeç; T. M., 24 vjeç; K. Z., 22 vjeç; B. P., 34 vjeç; Gj. N., 39 vjeç; L. K., 33 vjeçe; I. M., 24 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Si dhe janë sekuestruar dy automjete.

Nga veprimet hetimore rezulton se më datë 14.06.2026, rreth orës 18:00, ishte njoftuar zhvillimi i një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas përpara godinës së Kryeministrisë, në Tiranë. Tubimi ishte parashikuar të zhvillohej nga ora 18:00 deri në orën 22:00.

Gjatë zhvillimit të tij, sipas veprimeve hetimore të kryera, drejtues dhe organizatorë të tubimit kanë bërë thirrje për vazhdimin e lëvizjes së pjesëmarrësve nga zona përpara Kryeministrisë në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve në këtë aks rrugor. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

protesta policia bllokim

1 Komente

  1. T
    Tony

    Ata qe kane nxitur udhetimin per ne Rinas jane kollone e 5te. Duan te bllokojne aeroportin e Rinasit nga ku do te vije i gjithe emigracioni e diaspora. Keta birbot e qeverise e tere paria e oligarkia ia kane friken me shume, se jane me te pandalurit, me te sprovuarit, me vuajtje e te kalitur. Ky eshte moment shume delikat per Shqiperine e Shqiptaret. Nuk i dihet se nga do te na vije a keqja, nga Amerikanet, Europianet, fqinjet e dreqi me te birin. Durimi e besimi ka mbaruar me bemat e tyre. Te mbajme njeri tjetrin ashtu si mundemi, se te qerohen keta qe kemi siper kokes e t'i japim rruge te mbare Shqiperise.

    Lini një Përgjigje