
Dhjetë ditët e para të konfliktit i kanë kushtuar vendeve të Bashkimit Evropian rreth 3 miliardë euro shtesë për importet e lëndëve djegëse.
Shifrat u publikuan nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi se varësia nga burimet energjetike të jashtme po rëndon ekonomitë e vendeve anëtare.
Ajo paralajmëroi se përpjekjet për të zbutur rritjen e çmimeve të energjisë duke iu rikthyer furnizimeve me lëndë djegëse fosile nga Rusia do të përbënin një gabim strategjik për Evropën.
“Që nga fillimi i këtij konflikti, çmimet e gazit janë rritur me 50% dhe ato të naftës me 27%. Nëse e përkthejmë këtë në euro, 10 ditë luftë u kanë kushtuar taksapaguesve evropianë 3 miliardë euro shtesë në importet e lëndëve djegëse fosile. Ky është çmimi i varësisë sonë.”, tha ajo.
Përballë kësaj situate, von der Leyen u bëri thirrje vendeve anëtare të mos tërhiqen nga strategjia afatgjatë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme.
“Fakti është se ne kemi burime energjie vendase, ato të rinovueshme dhe bërthamore. Çmimet e tyre kanë mbetur të njëjta. Disa argumentojnë se duhet të braktisim strategjinë tonë dhe të kthehemi te lëndët fosile ruse. Ky do të ishte një gabim strategjik. Do të na bënte më të varur, më të prekshëm dhe më të dobët”, deklaroi Von der Leyen.
Ndërkohë, paralelisht me diskutimet në Bashkimin Evropian, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë po shqyrton një propozim për hedhjen në treg të miliona fuçive naftë nga rezervat strategjike, një ndërhyrje që pritet të jetë edhe më e madhe se ajo e vitit 2022.
Edhe ministrat e energjisë të vendeve të G7 kanë shprehur mbështetje në parim për këtë nismë, e cila synon të frenojë rritjen e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Laraske, politika behet qe t'i paraprije te keqes e jo te na tregoje qe e keqja na demtoi kaq e kaq Dollare e Euro. Ne se nuk e kryeni dot punen e postit, lereni e thyeni qafen se popujt jane merzitur me thartirat tuaja.