
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të PD-së për të bojkotuar punimet e seancës plenare të Kuvendit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji e cilësoi bojkotin si "shërbimin më të madh" që mund t'i bëhej kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se opozita duhej të ishte në Parlament për të përballur mazhorancën.
"Bojkoti i seancës parlamentare është shërbimi më i madh që mund t'i bëhet Edi Ramës", deklaroi Salianji.
Salianji u shpreh se në një moment kur qeveria po përballet me kritika dhe akuza për afera korruptive, Partia Demokratike duhej të përdorte Parlamentin si tribunë opozitare.
"Sot Parlamenti duhej të ziente. Duhej të ishte arena ku një qeveri e kalbëzuar dhe e rrënuar moralisht të vihej me shpatulla pas muri. Sot Partia Demokratike duhej t'i jepte zë zemërimit të qytetarëve dhe të rinjve që kanë ngritur dhe po mbajnë në këmbë revoltën më të gjatë popullore të viteve të fundit në Shqipëri", tha ai.
Në reagimin e tij, ish-deputeti drejtoi kritika edhe ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, për të cilin tha se po vepron në funksion të interesave personale.
"Në ditët më të zeza të kësaj qeverie, kur qytetarët janë në revoltë dhe aferat korruptive janë ekspozuar njëra pas tjetrës, Sali Berisha zgjedh edhe një herë t'i vijë në ndihmë Edi Ramës, duke u sjellë si bashkëortak dhe pjesë e bashkëqeverisjes", shtoi ai.
Salianji shtoi se Partia Demokratike nuk po arrin të përmbushë misionin e saj opozitar dhe se qytetarët, sipas tij, kërkojnë një alternativë të re politike.
"Prandaj kërkohet ndryshim. Prandaj gjithnjë e më shumë qytetarët kërkojnë largimin e dyshes bashkëqeverisëse Rama–Berisha", theksoi ish-deputeti.
Salianji u shpreh se marrëdhënia politike mes Ramës dhe Berishës është bërë e dukshme për qytetarët.
"Ndryshimi do të vijë, sepse tashmë ortakeria e tyre politike është ekspozuar hapur para syve të shqiptarëve. Ata nuk janë më alternativë kundër njëri-tjetrit, janë garancia e mbijetesës së njëri-tjetrit", përfundoi ai.
Lini një Përgjigje