TAGS-AT E JAVËS

Forum 1 Gusht 2025, 18:15

“Kush e mbolli paligjshmërinë, gjyqtari Hazbi Balliu apo administrata e korruptuar e Ramës?”

Shkruar nga Arben Llangozi

“Kush e mbolli paligjshmërinë, gjyqtari Hazbi Balliu apo

Po për këta zyrtarë, që janë nën varësinë tuaj direkte, pse nuk ka kurrë statuse? Pse nuk përmendni emra, pse nuk bëni publike asnjë “llogore” të keqbërësve të vërtetë me pushtet dhe firmë?

Zoti kryeministër, e pamë edhe sot një reagim plot flakë, tym dhe fjalë të mëdha për drejtësinë. Një gjyqtar nuk ju pëlqeu? E quani “antiligj” dhe “antishtet”. U zemëruat? Kërkoni llogari? Po kush jeni ju të kërkoni llogari në mënyrë selektive, siç ju leverdis politikisht?“Zoti Rama, drejtësinë nuk e bëjnë statuset tuaja, por lufta kundër vjedhjes me logon e shtetit!”

Zoti Kryeministër, me të drejtë ndiheni i revoltuar për disa vendime gjyqësore që nuk përputhen me vullnetin tuaj politik. Por kur ktheheni në gjykatës suprem nga ballkoni i Facebook-ut, duke akuzuar emra të përveçëm si “Gjela” apo “Balliu”, në fakt nuk jeni duke luftuar për drejtësi jeni duke bërë SHOW , duke bërë zhurmë, duke kanalizuar dështimet e qeverisë suaj në një përbindësh të ri që e quani “drejtësia e vjetër”.

Ndërkohë që flisni për “shtetin e së drejtës”, qytetarët përballen çdo ditë me një hipotekë që shet të drejtën me mik e me zarfe, me zyra shtetërore që shërbejnë vetëm pas ryshfetit, dhe me një administratë që i trajton njerëzit si shërbëtorë. Po për këta zyrtarë, që janë nën varësinë tuaj direkte, pse nuk ka kurrë statuse? Pse nuk përmendni emra, pse nuk bëni publike asnjë “llogore” të keqbërësve të vërtetë me pushtet dhe firmë?

Flisni për drejtësi, por e dini fare mirë që vjedhja më e madhe në këtë vend nuk është një vendim gjyqësor është vjedhja sistematike që ndodh çdo ditë, në çdo zyrë, me logon e Republikës dhe bekimin e heshtur të pushtetit.
E thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit, 1 miliard euro humbje në vit nga abuzimet me fondet publike. Tenderi i sterilizimit, tenderi i check-up-it, skema e hemodializës, janë plagë të hapura, janë grabitje të shëndetit të njerëzve, dhe për këto nuk ka “gjela”, nuk ka “ballinj”, nuk ka akuza. Ka vetëm heshtje.

Dhe le të flasim hapur, nuk jeni ju ai që mund të flasë për integritet në drejtësi, kur sistemi i drejtësisë është produkt i reformës suaj, i institucioneve të zgjedhura nga shumica juaj dhe të kontrolluara nëpërmjet mekanizmave të zgjatimeve tuaja politike. Nëse drejtësia është e korruptuar, është edhe sepse ju e ndërtuat kështu.

Sa për gjyqtarin Hazbiun, nuk e njoh personalisht por vetëm në proçese gjyqësore, nuk e mbroj nëse ka gabuar, por e di që ka reputacion për urtësi, zgjuarsi dhe ndershmëri. Ai nuk ka nevojë për mbrojtje publike, sepse e mbron ligji, ndërgjegjja dhe qytetarët që e kanë parë në punë me vendimet e tij të drejta . Më mirë një gjyqtar i ndershëm që merr një vendim të debatueshëm, sesa një qeveri që vjedh me ligj dhe kërkon duartrokitje për këtë.

Pra, zoti Rama, ndaloni teatrin me “drejtësinë që nuk ju bind” dhe filloni nga pastrimi i shtëpisë suaj politike. Filloni nga ministrat që shkelin ligjin, nga drejtorët që ndajnë tenderë në pazare nate, nga bashkitë që shesin leje ndërtimi në këmbim të apartamenteve.

Ju thoni se s’keni kompetenca mbi drejtësinë. Atëherë pse flisni sikur jeni mbi të? Mos ndoshta sepse jeni mësuar të kontrolloni gjithçka dhe drejtësia reale ju duket si një pengesë e padurueshme? Po drejtësia, e vërteta drejtësi, që duan qytetarët, nuk është e atij që bërtet më fort, por e atij që shërben me ndershmëri. Dhe ajo drejtësi do të vijë. Do vonojë ndoshta, por nuk do harrojë. Dhe nuk do ju kursejë as ju, as ata që sot fshihen pas emrit tuaj.

Dhe një pyetje kam për ju, zoti Kryeministër, kush i lejoi të ngriheshin këto ndërtime pa leje që sot ju i konfiskoni me bujë propagandistike dhe i shisni si triumf të shtetit ligjor? Sepse askush nuk ndërton pallate e fshatra të tërë turistikë në mes të Tiranës apo në zemër të Thethit pa dijeninë, miratimin ose indiferencën e administratës shtetërore dhe vendore.
A nuk janë pikërisht zyrtarët tuaj ata që për vite me radhë mbyllën sytë, nënshkruan dokumente, dhanë dritë jeshile në këmbim të ryshfetit dhe ndanë përqindje nga katet e paligjshme?

A nuk janë po ata që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të rrinë në zyra, të promovohen, të shpërblehen dhe të “fshihen” pas flamurit të rilindjes?

Mos vallë ndërtimet pa leje bien nga qielli? Jo, zoti Rama. Ato janë produkt i drejtpërdrejtë i një administrate të kalbur nga korrupsioni, që funksionon me rregullin e heshtjes kundrejt pagesës.

Pra, përpara se të tregoni muskujt ndaj drejtësisë, filloni nga pastrimi i shtëpisë suaj politike dhe administratës që i shërben pushtetit tuaj, sepse aty është burimi i vërtetë i paligjshmërisë.

Lini një Përgjigje