
Gjasat janë se deklamimet e PD-së për të marrë pjesë në protestë janë një alarm logjik se po i rrëshqit toka nga këmbët, sesa një intuitë për të marrë nesër drejtimin e opozitës.
Protesta qytetare që po përjeton ditën e tetë të saj, është një zhvillim sa qytetar aq edhe politik. Pikërisht konsistenca e kësaj proteste, që në realitet është një fakt shumë i rëndësishëm dhe natyrisht pozitiv në të gjitha aspektet, është zhvillimi më i rëndësishëm.
Zhvillim që në të vërtetë, Edi Rama, si personi përballë kësaj proteste nuk ka pasur dhe ka një strategji për ta frenuar, zvogëluar apo edhe zemëruar, përkundrazi. Rama ditë për ditë, po i jep material, betejë e natyrisht batuta për t’ju përgjigjur protestuesit që janë bërë lajm në të gjithë botën.
Në këtë panoramë, ku qoftë „opozita e re” qoftë Edi Rama janë në betejë, edhe Sali Berisha ka vendosur që të dalë në fushë.
Publikisht, duke thënë se në terren janë edhe strukturat e Partisë Demokratike. Gjë që u mor si fakt nga mediat, që po lançojnë pjesëmarrjen e strukturave të PD-së. Në të vërtetë njerëzit apo votuesit historikë të Partisë Demokratike kanë qenë që në ditën e parë në protestë. Ku duket qartë se kemi të bëjmë me një grup që janë politikisht kundër Edi Ramës. Në Shkodër për shembull, fjalimin kryesor të protestës që u mbajt atje e pati këshilltari bashkiak i PD-së. Ndërkohë një këshilltare bashkiake e PD-së, që është edhe person publik, në rrjetet e saj ka sulmuar hapur Ivanka Trump se po privatizon ishullin e Sazanit.
Ndërkaq, në territor nuk mund të thuhet se PD ka aktivizuar strukturat, pasi këto struktura nuk funksionojnë, sidomos në Tiranë. Shumë votues, përkrahës, që janë nga kozmosi i djathtë që nga Fred Cako te Kreshnik Osmani, Altin Goxhaj etj etj, kanë qenë gjithmonë pranë PD-së historikisht, por ata nuk janë struktura në territor.
Ndaj gjasat janë se deklamimet e PD-së për të marrë pjesë në protestë janë një alarm logjik se po i rrëshqit toka nga këmbët, sesa një intuitë për të marrë nesër drejtimin e opozitës.
Sido që të shkojnë protestat, hyrja e PD-së nuk do ta bëjë atë faktor determinant, por ama nuk ka rrugë tjetër veçse për tu bashkëngjitur. Në një rol të ri, definim të ri, i cili përveçse organizativ do të jetë politik. Pasi rëndësi ka se kush është fuqia apo lokomotiva e kësaj opozite të re. Kreshnik Osmani, një nga aleatët minorë të Berishës, sot ka nxjerrë edhe emrin e partisë së re, që sipas tij nuk ka lidhje me Shqipërinë por me „Gjeopolitikën e re”. Pra që faktorët janë edhe më të mëdhenj se këtu, e këtu dihet se Osmani ka arsye të mendojë kështu. Por një gjë shikohet shumë qartë, trumpistët në selinë e PD-së do të vijnë gjithnjë e më shumë duke u fikur, e nuk është çudi që të pranojnë pozicionet e reja jo thjesht anti-Trump por edhe anti shumë gjëra që i ka imponuar protesta. E cila aleaten më të rëndësishme ka të majtën globale dhe mediat pranë saj.
Lini një Përgjigje