Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur të martën në zonën e Treshit, në Tiranë, ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja ka ndodhur në çastin kur semafori ka kaluar në dritë jeshile për automjetet. Paraprakisht mësohet se një drejtues mjeti, 55-vjeçari Tomorr Shukullli, i kishte dhënë disa monedha të miturit, të cilat më pas i kanë rënë në tokë. Në përpjekje për t’i mbledhur, fëmija ka kaluar përpara automjetit.
Në atë moment, automjeti i parë ka lëvizur me ndezjen e semaforit, ndërsa goditja fatale dyshohet të jetë shkaktuar nga makina që vinte pas, e cila e ka zënë të miturin poshtë rrotave. Drejtuesi i mjetit të parë ka ndaluar menjëherë pasi ka dëgjuar thirrjet e qytetarëve, ndërsa drejtuesja e mjetit të dytë, një 42-vjeçare, është larguar nga vendi i ngjarjes.
Fëmija është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës nga 55-vjeçari. Ky i fundit ka deklaruar fillimisht se nuk kishte qenë ai që e kishte përplasur të miturin, por se kishte reaguar pasi kishte dëgjuar britmat dhe kishte parë fëmijën të shtrirë në rrugë.
Sipas hetuesve, dinamika e plotë e aksidentit është rindërtuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë dhe dëshmive të personave që ndodheshin në zonë. Më vonë është siguruar edhe një tjetër regjistrim me pamje më të qarta, i cili ka ndihmuar në saktësimin e rrethanave.
Lini një Përgjigje