Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur mesditën e sotme në rrugën “Kastriotët”, ku humbi jetën një fëmijë 7 vjeç, duke dhënë detaje mbi rrethanat dhe autorësinë e ngjarjes.
Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:20, më 24 shkurt 2026. Nga hetimet e kryera nga grupi i posaçëm rezulton se i mituri është përplasur fillimisht nga një automjet që drejtohej nga shtetasi Tomorr Shukulli, 55 vjeç, dhe më pas nga një automjet tjetër që drejtohej nga shtetasja Valentina Koltraku, 42 vjeçe.
Policia bën me dije se pas përplasjes, të dy drejtuesit e mjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit. Gjatë veprimeve hetimore është konstatuar se 55-vjeçari e ka transportuar të miturin në spital, por ka tentuar të mohojë dijeninë mbi rrethanat e aksidentit.
Në vijim të veprimeve, uniformat blu kanë identifikuar dhe vënë në pranga dy drejtuesit e automjeteve të përfshira në ngjarje. Gjithashtu, janë gjetur dhe sekuestruar dy mjetet, në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i plotë
Si rezultat i hetimeve të kryera nga grupi i posaçëm, menjëherë pas aksidentit të ndodhur rreth orës 11:20 të datës 24.02.2026, në rrugën “Kastriotët”, si pasojë e të cilit humbi jetën një 7 vjeçar, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan dhe arrestuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit T. Sh., 55 vjeç dhe V. K., 42 vjeçe.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se i mituri është përplasur fillimisht nga automjeti që drejtonte 55-vjeçari dhe më pas nga automjeti që drejtonte shtetasja V. K.
Të dy drejtuesit e automjeteve janë larguar nga vendi i aksidentit.
Gjatë veprimeve hetimore, 55-vjeçari, i cili e ka transportuar të miturin, në spital, ka tentuar të mohojë dijeninë rreth aksidentit.
Hetimet vijojnë për të individualizuar dhe dokumentuar përgjegjësinë penale të secilit prej të arrestuarve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje