Kronike12 Shkurt 2024, 09:41

Atentati në Kurbin, Ardjan Gjeloshi mohon të ketë konflikte; një prej makinave të autorëve me fenelina policie

Shkruar nga Pamfleti
Atentati në Kurbin, Ardjan Gjeloshi mohon të ketë konflikte;
Viktima Selman Mihana

Në deklarimet e tij para hetuesve, 51- vjeçari Gjeloshi, teksa ka treguar dinamikën e ngjarjes ka mohuar të ketë konflikte, duke mos e orientuar grupin hetimor drejt një piste hetimi...

Ardjan Gjeloshi ka deklaruar para hetuesve se nuk ka konflikt me asnjë person, lidhur me atentatin e pak ditëve më parë në Kurbin, ku ai mbeti i plagosur dhe u vra ekonomisti i firmës së inerteve.

Persona të armatosur u futën brenda firmës dhe hapën zjarr, ku për pasojë vdiq Selman Mihana. Por ngjarja mbete ende mister dhe policia nuk ka arrestuar asnjë person.

Në deklarimet e tij para hetuesve, 51- vjeçari Gjeloshi, teksa ka treguar dinamikën e ngjarjes ka mohuar të ketë konflikte, duke mos e orientuar grupin hetimor drejt një piste hetimi.

Ndërkohë përgjatë dy ditëve janë shoqëruar dhe marrë në pyetje një numër i konsiderueshëm, personash të cilët mund të kenë dijeni rreth ngjarjes, por dëshmitë e tyre nuk kanë qenë të vlefshme për grupin hetimor.

Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek hasmëria, e cila lidhet me një ngjarje të ndodhur në vitin 2002 ku mbeti e vrarë një grua dhe u plagos një efektiv policie dhe të dyshuar për krimin kanë qenë 51-vjeçari Gjeloshi së bashku me vëllanë e tij.

Po ashtu dyshimet janë se autorët kanë qenë vrasës me pagesë dhe kanë ardhur nga zona e Krujës. Lëvizjet e tyre janë filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë, por nuk është arritur identifikimi pasi në kokë mbanin maska. Atentati me armë zjarri ndodhi rreth orës 7:00 të mëngjesit të së shtunës.

Mësohet se një nga automjetet e autorëve, të cilët mendohet se kanë qenë 4, ka qenë një Range Rover me fenelinë policie.

Mësohet se tre persona kanë marrë pjesë në krim, duke qëlluar me automatik, ndërkohë që njëri ka qëndruar në makinë. Në vendin e ngjarjes u gjetën 50 gëzhoja automatiku. Ardjan Gjeloshi ka arritur t’u mbijetojë plumbave, pasi është fshehur dhe ka ikur me makinën e tij të blinduar drejt spitalit.

Sakaq, makina e dytë e autorëve është një mjeti tip ‘Golf 4’. Nga hetimet e deritanishme rezulton se Range Rover është vjedhur në Lezhë, ndërkohë që të dy automjetet janë gjetur të djegura në Zall, afër Urës së Milotit.

 Sapo shënjestra e tyre ka hyrë në biznesin në pronësi të tij, atentatorët kanë ardhur me një automjet Rang Rover, ngjyrë e zezë, të cilën e kanë ndaluar tek porta hyrëse e kompanisë së inerteve dhe tre prej tyre kanë zbritur nga makina dhe të maskuar janë afruar në këmbë drejt godinës së administratës ku ishte dhe pronari Ardian Gjeloshi.

Sapo janë afruar njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 51-vjeçarit Gjeloshi, por vetëm dy prej tyre e preken në trup pasi arriti të largohet dhe të hynte në zyrë. Nën shoqërinë e shënjestrës ishte ekonomisti i firmës Selman Mihana, i cili në tentativë për të mbrojtur pronarin mori disa plumba në pjesë të ndryshme të trupit, që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Në momentin e ngjarjes ka patur dhe punonjës të tjerë brenda kompanisë së inerteve të cilët po shpërndaheshin për të nisur punën dhe kanë shpëtuar për mrekulli.

Pas ngjarjes tre personat e maskuar janë larguar dhe kanë hipur sërish të automjetin Range Rover, ku po i priste personi i katërt i cili kishte rolin e shoferit. Sipas dëshmive të punonjësve të cilët kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes, njëri prej autoreve ka folur në gjuhë të huaj, por nuk kanë arritur ta kuptojnë se çfarë ka thënë.