
Dashnor Dumani akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa Stafa për pastrim parash, si pjesë e organizatës së vëllezërve Çopja.
Me pantallona të shkurtra, shapka dhe duart e lidhura. Kështu zbritën në aeroportin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, Artemis Stafa dhe Dashnor Dumani. Të dy u ekstraduan nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa në pistën e aeroportit të Rinasit, u pritën nga dhjetra forca policore që mbanin në duar armë automatike. Të dy personat e ekstraduar ishin shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacioneve kundër organizatave kriminale, ndërsa për ta GJKKO-ja, ka caktuar masat e sigurimit ‘arrest me burg’.
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet kur Stafa dhe Dumani zbresin në Rinas, ndërsa oficerë policie shoqërojnë secilin prej tyre.
Dy shtetasit u kapën nga policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
Dashnor Dumani akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa Stafa për pastrim parash, si pjesë e organizatës së vëllezërve Çopja.
Dashnor Dumani është i dënuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, por SPAK e akuzon edhe për vepra të rënda penale, vrasje dhe vjedhje me armë.
Dashnor Dumani dyshohet se ka qenë në grupin e vrasësve në masakrën e 29 dhjetorit 2018 pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit në Elbasan, ku u eliminua Endrit Alibej, vëllai i të penduarit tjetër të drejtësisë, Erion Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay.
Në rrëfimet e tij në procesin “Plumbi i Artë”, Erion Alibej deklaroi pak ditë më parë se nga hetimet që ka kryer në mënyrë private për masakrën, zbuloi se në mesin e atentatorëve ishte vëllai i Nuredin Dumanit.
Nuredin Dumani kur i tregoi emrat e vrasësve të Endrit Alibejt, nuk i përmendi vëllain Dashnor Dumani. 40-vjeçari po ashtu dyshohet se ka qenë pjesë e grupit për grabitjen e 9 prillit 2019 brenda pistës së aeroportit të Rinasit, ngjarje në të cilën u vra Admir Murataj, dhe në muajt në vazhdim çoi në krisje të grupit për shkak të ndarjes së parave, duke prodhuar një valë vrasjesh të tjera.
I ekstraduari tjetër, Armes Stafa, është pjesë e grupit të vëllezërve Çopja të Elbasanit, Franc dhe Hajdar Çopja. Përmes shitblerjes së makinave dyshohet se roli i tij në grup ka qenë për pastrimin e parave që rridhnin nga veprimtaria kriminale, kryesisht ajo e trafikut të drogës. Për të Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” në mungesë gjatë vitit të kaluar.
Njoftimi nga Policia e Shtetit
Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.
Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 2 shtetas të shumëkërkuar, pjesëtarë të një organizate kriminale që akuzohet nga GjKKO, për kryerje të krimeve të rënda.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi solid të realizuar nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Ëanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
-D. D., 40 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se:
٠në vitin 2018, në fshatin Bradashesh, ka patur rolin e ekzekutorit në vrasjen e shtetasve E. A., A. D. dhe E. D.;
٠në vitin 2019, bashkë me shtetasin A. N., ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave, në Rinas.
Gjithashtu, 40-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Durrësit, në vitin 2016, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 4 muaj burgim;
-A. S., 36 vjeç, pasi GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Ky shtetas akuzohet se ka pastruar nëpërmjet shitblerjes së automjeteve, paratë e shtetasve F. G. alias F. Ç. dhe H. B. alias H. Ç., vëllezër, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
2 shtetasit u kapën nga policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.
Lini një Përgjigje