Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë 14 të pandehur të akuzuar për pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe, për disa prej tyre, edhe për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj. Vendimi u dha këtë të enjte, më 11 qershor 2026, pas përfundimit të gjykimit të zhvilluar me procedurë të zakonshme.
Sipas vendimit të trupit gjykues të përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca, Shyqyri Kaca dhe Saimir Kaca u dënuan secili me nga 10 vite burgim, pas bashkimit të dënimeve për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.
Gjykata vendosi gjithashtu dënimin me 5 vite burgim për Enes Kacën, i cili është gjykuar si i mitur. Ndërkohë, Arbër Stafasani, Etion Zani dhe Erion Luto u dënuan me nga 9 vite burgim secili.
Për të pandehurit e tjerë, dënimet e dhëna nga GJKKO variojnë nga 4 deri në 8 vite burg. Konkretisht, Ditar Bala, Bajram Sulaj, Fatbardh Taushani, Nertil Hysenllari, Ledio Mehmeti dhe Erdet Korro u dënuan me nga 8 vite burgim, ndërsa Ali Balliu me 7 vite burg. Usejd Stafasani mori dënimin më të ulët, 4 vite burgim.
Lista e plotë e dënimeve është si më poshtë:
Shyqyri Kaca – 10 vite burgim
Saimir Kaca – 10 vite burgim
Enes Kaca – 5 vite burgim
Ditar Bala – 8 vite burgim
Bajram Sulaj – 8 vite burgim
Fatbardh Taushani – 8 vite burgim
Ali Balliu – 7 vite burgim
Arbër Stafasani – 9 vite burgim
Usejd Stafasani – 4 vite burgim
Etion Zani – 9 vite burgim
Nertil Hysenllari – 8 vite burgim
Ledio Mehmeti – 8 vite burgim
Erion Luto – 9 vite burgim
Erdet Korro – 8 vite burgim
Sipas vendimit, dënimet do të vuahen në institucione të sigurisë së lartë, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është ngarkuar me ekzekutimin e vendimit.
Të gjithë të pandehurit janë gjykuar me procedurë të zakonshme. Vendimi i GJKKO-së nuk është ende i formës së prerë dhe mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Posaçëm brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
Lini një Përgjigje