
Në prani të psikologes, 14-vjeçari M.K., i cili dyshohet se qëlloi 4 herë me thikë bashkëmoshatarin e tij gjatë një sherri të ndodhur në lagjen 14 në Durrës, ka dhënë dëshminë për grupin hetimor.
Fillimisht ai ka shfaqur pendesë, teksa ka deklaruar se sherri mes tyre kishte nisur pas një konflikti që kishin pasur disa ditë më parë në rrjetet sociale.
Ndërsa më pas ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes: nga takimi për sqarim, përfshirjen në sherrin masiv, plagosjen e 15-vjeçarit e deri tek arrestimi nga policia.
“Pak ditë më parë ngecëm për një koment në TikTok. Aty nisi. U grindëm me komente. Më pas lamë të takoheshim. Nga ana jonë për t’u sqaruar. Po e dinim që ata do të vinin me disa shokë. Edhe ne u bëmë një grup. E lamë të takoheshim diku pranë shtëpisë së tij. Shkuam aty, u takuam. Ata kishin marrë masa për ndonjë konflikt të mundshëm, gjithashtu edhe ne. Nisëm të debatonin: kush je ti, kush jam unë! U përfshimë në një sherr masiv. Ata na qëlluan me mjete të forta. Unë nxorra thikën. Më shumë për ta trembur. Për vetëmbrojtje qëllova. Se ishte më i madh dhe po më godiste. E godita disa herë, jo për ta vrarë apo plagosur, por për ta trembur. Më vjen shumë keq që përfundoi në këtë mënyrë. Nuk desha që të shkonte kështu. Edhe ata na qëlluan me mjete të forta. Jam penduar shumë. Nuk doja të shkonte kështu”, ka deklaruar ndër të tjera për grupin hetimor 14-vjeçari, i dyshuar për plagosjen e bashkëmoshatarit të tij, raporton “ABCNews”.
Mësohet se autori i dyshuar dhe i plagosuri janë banorë të së njëjtës lagje dhe frekuentojnë të njëjtën shkollë që ndodhet në zonën e ish-Kënetës, “Dom Nikollë Kaçorri”.
Lini një Përgjigje