
Një shumë parash janë sekuestruar nga Policia Kufitare e Kakavijës në dalje të Shqipërisë. Paratë në vlerë 44,750 Euro në posedim të 54-vjeçarit Dh.P. nga fshati Dhuvjan, nuk ishin deklaruar sipas ligjit.
54-vjeçari i mbante paratë në çantë dhe do të udhëtonte drejt Greqisë. Shumat monetare iu sekuestruan ndërsa 54-vjeçari është proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
"Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në çantën e shtetasit Dh. P., gjetën 44 750 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Ky shtetas nuk e kishte deklaruar këtë shumë parash, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve, strukturat hetimore të DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Dh. P., 54 vjeç, banues në fshatin Dhuvjan, Gjirokastër, për veprat penale "Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.