TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Prill 2026, 16:15

Të përfshirë në operacionin “Ura”, GJKKO liron nga qelia Edison Gjokën dhe Bexhed Memën

Shkruar nga Pamfleti
Të përfshirë në operacionin “Ura”, GJKKO liron
Edison Çukaj-Bexhed Mema

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë tre persona të përfshirë në dosjen e njohur si “Ura”, të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas vendimit të shpallur më 27 prill 2026, gjykata dënoi Edison Çukaj (alias Gjoka), Ervis Detin dhe Bexhed Memën, pas një procesi të zhvilluar me procedurë të shkurtuar, çka solli edhe ulje të dënimeve.

Edison Çukaj u dënua fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 1 vit. Për shkak se kishte konsumuar një periudhë paraburgimi më të gjatë se dënimi i dhënë, gjykata urdhëroi lirimin e tij nga masa e sigurisë “arrest në burg”.

Ndërkohë, Ervis Deti u dënua me 2 vite burgim, dënim që u reduktua në 1 vit e 4 muaj. Ai do ta vuajë dënimin në një institucion të sigurisë së zakonshme, pasi vendimi të marrë formë të prerë.

Për Bexhed Memën, gjykata vendosi gjithashtu dënimin me 2 vite burgim, i reduktuar në 1 vit e 4 muaj, por ekzekutimi i këtij dënimi u pezullua. Ai do të qëndrojë në periudhë prove për 2 vite e 8 muaj, gjatë së cilës duhet të respektojë detyrimet e vendosura nga Shërbimi i Provës.

Gjykata vendosi kthimin e disa provave materiale, si pajisje telefonike, ndërsa shpenzimet gjyqësore iu ngarkuan solidarisht të pandehurve. Palët kanë të drejtë ankimi brenda 15 ditësh.

Edison Çukaj, Ervis Deti, Bexhed Mema dhe tre të tjerë u dërguan për gjykim nga SPAK në tetor të vitit të kaluar, dhe çeshtja u nda nga personat e tjerë të përfshirë në këtë operacion kundër trafikut të drogës.

Ndër ta ishte edhe avokati Armand Tragaj, i cili akuzohet se ka komunikuar nëpërmjet SkyEcc dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarët e lartë për të ndikuar në favor të klientëve të tij.

Edison Çukaj u akuzua se i ka dhënë një shumë prej 3 mijë eurosh Ervis Detit, Serxhio Shkodrës dhe Bexhed Memës në mënyrë që të ndikonin te punonjësi në portin e Durrësit Naim Behluli për të shkuar drejt Italisë.

Njoftimi i GJKKO:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 36/3, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve Edison Cukaj (Gjoka), Ervis Deti dhe Bexhed Mema”.

2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Bib Ndreca, Engjëllushe Tahiri dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 35, datë 27.04.2026 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Edison Çukaj alias Gjoka, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë të Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

2. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit burgim.

3. Në bazë të neneve 261/1/c dhe 389 të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se masa e dënimit të caktuar, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Arrest në burg” caktuar me vendimin Nr. 34 datë 30.04.2025, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëse nuk mbahet për ndonjë masë tjetër sigurimi apo dënim penal të pavuajtur.

4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ervis Deti, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim. 5. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit e 4(katër muaj)  burgim.

6. Vuajtja e dënimit fillon nga dita që ky vendim të marrë formë të prerë dhe të vuhet në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme.

7. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bexhed Mema, për kryerjen e veprës penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimim e tij me 2 (dy) vjet burgim. 8. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.

9. Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Bexhed Mema, duke u detyruar që të mbajë kontakte me zyrën vendore të Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin i pandehuri. Vënia në provë e të pandehurit për një periudhë kohe prej 2 (dy) vite e 8 tetë muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.

10. Në zbatim të nenit 61 të Kodit Penal, detyrohet i pandehuri që gjatë kohës së provës: a).T’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës; b).Të marrë pëlqimin në Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës për ndryshimin e vendbanimit.

11. Në bazë të nenit 261/1/b dhe 389 të K.Pr.Penale, urdhërohet heqja e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” caktuar me vendimin Nr. 34 datë 30.04.2025, të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

12. Lidhur me Provat materiale bazuar në nenin 190 të K.Pr.Penale, gjykata disponon si më poshtë ku:  1 (një) aparat telefonik i markës “Samsung Galaxy A16”, me numër IMEI 1: **** dhe IMEI 2: **** i cili ka në brendësi kartën SIM të kompanisë italiane me numër serial ****, i shtetasit Edison Cukaj alias Gjoka të kthehet këtij të fundit; 1 (një) aparat telefonik i markës “Iphone 12 ProMax”, me numër IMEI 1: **** dhe IMEI 2: **** i cili ka në brendësi kartën SIM të kompanisë vodafone me numër serial ****, i shtetasit Bexhed Mema të kthehet këtij të fundit; 1 (një) aparat celularë i markës Samsung blu e errët model galaxy A21S në gjëndje të ndezur pa kod hyrës me nr IMEI 1: **** dhe IMEI 2: ****, sim kartë ****, i shtetasit Armand Tragaj të lihet në dispozicion të dosjes së ndarë; 1 (një) aparat celularë i markës Samsung galaxy A3,  me nr IMEI 1: **** i shtetasit Ervis Deti, të kthehet këtij të fundit. 13. Në bazë të nenit 224 të K.Pr.Penale, CD me të dhënat përkatëse, mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor. 14. Shpenzimet hetimore si dhe ato gjyqësore (sipas proçesverbalit bashkëlidhur), ju ngarkohen solidarisht të pandehurve. 15. Kundër vendimit lejohet ankim nga palët në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

gjkko fajtor te perfshire dosja

Lini një Përgjigje