Ka shkuar në tre numri i personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e Anesti Ramës, ngjarje që tronditi fshatin Frashër në Fier më më 23 korrik, por edhe gjithë vendin.
Një person i tretë është arrestuar nga policia për vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama në Fier, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë.
I arrestuari është Çlirim Dogani 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj të Roskovecit.
Pas krimit, policia arrestoi menjëherë vajzën vrasëse Ermalinda Rama si autore, dhe nënën e saj Valbona Rama, si bashkëpunëtore në krim që ndihmoi për të inskenuar ngjarjen si aksidentale.
"Punë e pandërprerë hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur në fshatin Frashër, ku shtetasja E. R. vrau për motive të dobëta, babanë e saj.
Vihet në pranga bashkëpuntori i 26-vjeçares.
Në vijim të hetimeve të kryera me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier bënë ndalimin e shtetasit Ç. D., 55 vjeç, banues në fshatin Arapaj, Roskovec.
Nga kryerja e hetimeve dyshohet se ky shtetas ka bashkëpunuar me shtetasen E. R., në vrasjen e babait të saj nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), si edhe duke përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.", njofton policia.
Për ngjarjen e rëndë, banorët e fshatit kanë zbuluar detaje tonditëse.
Kryeplaku i fshatit Frashër, Irakli Zarka, tregon i tronditur se si e mësoi ngjarjen e rëndë të krimit në familje , ku fillimisht i kishin thënë se Anesti Rama, kish pësuar infarkt dhe kish ndërruar jetë.
Ai tregon se Anesti Rama, ka jetuar gjithmonë në kushte tepër të vështira ekonomike, duke filluar si bari i një tufe me dhi, si punëtor krahu për disa vite në Greqi , e për të përfunduar si punonjës i një ferme blegtorale në zonë.
Nuk kishte jetë sociale, tregon kryeplaku Zarka, dinte vetëm punë dhe shtëpi , ku trajtohej shumë keq nga bashkëshortja Valbona dhe e bija Ermalinda. E linin pa ngrënë dhe donin ta ndiqnin nga shtëpia teksa tregon se trajtohej dhe me ndihme ekonomike 3 mijë lekë në muaj.
“Më tha i plotfuqishmi i zonës që ishte mbytur nga gruaja dhe çupa”, thotë Zarka.
“Nesti ka qenë djalë i urtë, punëtor, punonte. Qe ca kohë në Greqi, punoi atje. Kurse këto nuk e trajtonin mirë. Më ankohej, më thoshte gjithnjë që nuk e trajtonin mirë. Nuk i jepnin për të ngrënë. I thoshin që të ikte nga shtëpia. Kam vajtur edhe unë, edhe policia disa herë. Ishin të pabindura. Na ka ardhur shumë keq”, thotë Zarka.
Ai thotë se disa herë kishte folur me zyrën e punës për t’i gjetur punë vajzës dhe nënës, por ato nuk donin të punonin.
“E kishin mendjen vetëm të qëndronin në shtëpi, të shikonin telenovelat dhe të punonte Nesti”, thotë ai.
Zarka pohon gjithashtu se pavarësisht se ai keqtrajtohej vazhdimisht, nuk është i habitur për mënyrën se si ia morën jetën pasi nga ato të dyja gjithçka pritej.
Ndërkohë i ndjeri është përcjellë dje për në banesën e fundit ndërsa vajza tjetër, e ardhur nga Italia mes dhimbjes jashtë kamerës thotë se kjo derë u mbyll përgjithmonë.
Lini një Përgjigje