
Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO, duke lënë në burg Sabah Nuzin, i cili u arrestua në muajin shtator për vrasjen e Klevis Lleshit.
SPAK zbardhi vrasjen e Klevis Lleshit në shtator të këtij viti duke çuar në arrestimin e 3 personave dhe shpalljen në kërkim të porositësit.
Në pranga kanë rënë Sabah Nuzi, vrasësi i cili është paguar nga porositësi Aurel Hoxha 50 mijë euro për eliminimin e 22-vjeçarit, Samet Loka dhe Sajmir Kolaveri, i cili u arrestua në Itali dhe ka pasur rolin e ndërmjetësit dhe ndihmësit në vrasje.
Sabah Nuzi, i akuzuar nga SPAK si vrasës me pagesë, ashtu si familja Lleshi, është nga Burreli, dhe mendohet që me Klevisin, të cilin e vrau e më tej e groposi, të ketë pasur edhe njohje e miqësi.
31-vjeçari Sabah Nuzi sipas njoftimeve të vjetra të policisë, rezulton me precedent penalë. Në vitin 2020 u arrestua nga Policia e Matit pasi kishte qëlluar me armë në ajër dhe kishte kërcënuar një person. Edhe më herët, në vitin 2012, kur ka qenë krejt i ri vetëm 18 vjeç, është prangosur për plagosjen e 3 personave me pistoletë.
Aurel Hoxha, i njohur ndryshe me emrin Aurelinjo Kalaveri, urdhëroi vrasjen e 22-vjeçarit për tu hakmarrë për vrasjen e vëllait të tij në Mbretërinë e Bashkuar, në vitin 2012, nga Arben Lleshi, kushëriri i 22-vjeçarit.
Dy fiset janë përfshirë në një sagë hakmarrjesh, të nisur në vitin 2012, kur Arben Lleshi vrau Agim Hoxhën, vëllain e Aurel Hoxhës, dhe më pas ia dogji trupin në makinë. Një vit më pas, më 30 tetor 2013, u vra Xhavit Lleshi, babai i Klevis Lleshit. Tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi.
Më pas, në vitin 2020 fisi Hoxha dyshohet se porositi vrasjen e Klevis Lleshit. Pas vrasjes, trupin e tij e zhdukën në fshatit Shpërdhet të Kurbinit, ndërsa eshtrat u gjetën pas rreth 2 vite e gjysmë nga banorë të zonës. Arben Lleshi po vuante dënimin me burg përjetë në burgun e Peqinit, kur në vitin 2023 u vra nga Sokol Mjacaj. Ai u qëlloi me armë brenda në qeli, dhe dyshohet se vrasja ka qenë vazhdë e kësaj hakmarrjeje.
Lini një Përgjigje