Kulture31 Maj 2023, 12:10

Shkrirja e Albanologjisë ‘qokë’ për Gjinushin? Ministrja Kushi: Vendimi nuk ka të bëjë me emra të përveçëm

Shkruar nga Pamfleti

Shkrirja e Albanologjisë ‘qokë’ për Gjinushin?

Vendimi i qeverisë për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike me atë të Shkencave vuri përballë gazetarëve ministren e Arsimit, Evis Kushi.

Ajo u pyet veçanërisht nëse ky veprim i qeverisë është një ‘qokë’ për kryetarin e Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi. Ministrja u shpreh se vendimi nuk ka të bëjë me emra të përveçëm.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk merret me emra të përveçëm. Akademia e Shkencave drejtohet me vendim të asamblesë. Nesër mund të drejtohet nga dikush tjetër. Nuk merremi me emra personalë. Të gjithë jemi të përkohshëm në institucionet tona”, tha ajo.

Sipas Kushit, shumica e studiuesve janë pro vendimit të qeverisë, dhe janë vetëm një pjesë e vogël e tyre që kanë dalë kundër. Gazetarët kërkuan prej saj emra konkretë, por ajo refuzoi të përgjigjet.

“Autonominë që jep ligji i arsimit të lartë ata e kanë përdorur në shkelje të ligjit. Nuk do të thotë që në një institucion publik të bësh ç’të duash. Ka studiues shumë të nderuar që kanë dhënë kontribut por si institucion kanë përgjegjësi që nuk e kanë sjellë në ligjshmëri. Ata nuk kërkojnë që të përshtaten me ligjin por kërkojnë një ligj të veçantë.

Kjo nuk mund të qëndrojë sepse nuk mund të ngremë institucione paralele. Shumë prej studiuesve që janë pjesë e studimeve Albanologjike janë pjesë e asamblesë Akademisë së Shkencave. Kur janë te Shkencat janë dakord me këtë vendim. Shumica janë pro këtij vendimi. Janë vetëm disa që janë kundër. Vendimet tona i kanë marrë në konsideratë të gjitha,  edhe faktet edhe argumentet. Institucioni është në shkelje të ligjit të Arsimit të Lartë. Projekti i madh i përbashkët edhe me Kosovën është enciklopedia shqiptare. Është një projekt madhor i qeverisë shqiptare”, u shpreh Kushi.

evis kushi albanologjia qoke skender gjinushi