
Dumani u justifikua se janë kushtëzuar te bashkëpunimi me autoritetet e BE...
Kreu i SPAK Altin Dumani ka folur në Kuvend mbi fondet IPARD. Edhe pse ka dy vite që hetohet kjo dosje, deri më tani nuk ka asnjë konkluzion.
Ishte deputetja Elda Hoti që kishte dorëzuar disa pyetje mbi këtë temë dhe Dumani është pyetur drejtpërdrejt nëse po hetohet ish-ministrja Frida Krifca.
Ai paralajmëroi se po hetohen të gjithë ata që kanë zhytur duart, por u justifikua se janë kushtëzuar te bashkëpunimi me autoritetet e BE.
-A ka ndonjë procedim penal në lidhje me abuzimet e mundshme në fondet e IPARD në Shqipëri?
Po ka regjistruar një procedim të tillë dhe e kam pohuar edhe në Komisionin e Ligjeve, por është bërë edhe një deklarim publik nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Çështja është në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF dhe me zyrën e Prokurorit Publik Europian, me OLAF kryesisht si iniciues dhe i këtij procedimi.
-Pse nuk hetohet Frida Krifca?
Të garantoj se në atë procedim penal do të hetohet çdo person i cili dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës ka kryer veprime të kundërligjshme. Është një çështje prioritare, thashë, kushtëzohemi nga bashkëpunimi me autoritetet e huaja.
-Pse në rastet që lidhen me ministrat e qeverisë, si në rastin e Krifcës, nuk ka asnjë reagim publik apo veprim të menjëhershëm nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa për raste që përfshijnë opozitën veprimi është i menjëhershëm dhe i zëshëm?
Ky është një vlerësim i juaj, zonja deputete. Ne jemi të ftohtë në hetimin e çështjeve penale, nuk na intereson se nga cili kamp politik vjen subjekti i veprës penale. E rëndësishme është që të sigurohen provat dhe të ngrihet një akuzë e suksesshme.

Altin Dumani i është përgjigjur deputetit Flamur Noka, teksa ky i fundit tha se SPAK mbajti në sirtar urdhër arrestet për operacionin “Ura” me qëllim që të mos realizohej para zgjedhjeve të 11 majit.
Nga ky operacion është ende në kërkim Visi i Pojës, por Dumani sqaroi se vendimi për të ekzekutuar masat me datë 21 maj është marrë në bashkëpunim me Barin.
“Ka qenë e skuadër e përbashkët hetimore mes nesh dhe Barit. Kemi bashkëpunuar me ta në hetimin e kësaj çështje hetim i suksesshëm kemi depozituar kërkesën që në datë 19 mars 2025 për masën e sigurimit. Vendimi i na është dhënë me 5.05.2025, më datë 7 maj jemi takuar me prokurorin e çështjes së antimafias së barit dhe disa hetues të DIA-s. Në atë takim u konkludua se si do ekzekutoheshin masat dhe kur”, tha Dumani.
Pyetjes se a ndihen përgjegjës përse bandat e lidhura me pushtetin shijojnë lirinë, Dumani ju përgjigj se është Policia e Shtetit ajo që ekzekuton urdhër-arrestet.
“Përgjegjësia e një prokurori, se ke qenë edhe ministër i brendshëm, është të hetojë, grumbullojë prova të bëjë hetim të plotë, të ngrejë akuzë dhe të përfaqësojë akuzën në gjykim, në çdo rast kur prokurori merr vendim për caktim mase apo ekzekutim vendimi, i vetmi që bën prokurori është urdhër ekzekutimi dhe ja dërgon policisë së shtetit. Kur nuk gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë, prokurori investohet me një urdhër kërkimi ndërkombëtar. Kjo ka qenë praktikë që 25 vite që jam unë në prokurori”, tha Dumani.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, është pyetur sot në Kuvend mbi ekzistencën e ndonjë hetimi për të ashtuquajturën “dosja Aruba”, që sipas denoncimeve mediatike dhe politike, lidhet me takime mes karteleve të drogës dhe zyrtarëve të lartë shtetërorë shqiptarë, si dhe me dyshime për pastrim parash përmes lejeve të ndërtimit.
Ishte po Hoti që e pyeti Dumanin në Komisionin e Ligjeve dhe përgjigjja e tij ishte: “Nuk njoh ndonjë çështje me emrin Aruba”.
Deputetja ka këmbëngulur dhe e ka pyetur sot në seancë plenare për të njëjtën gjë, në mënyrë më të detajuar dhe përgjigjja ishte: “Nuk kam asnjë koment për këtë pyetje”.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, po raporton në Kuvend mbi aktivitetin e prokurorisë së posaçme dhe është pyetur nëse hetimet janë shtrirë edhe në sektorin e ndërtimit, ku eksponentë të krimit të organizuar investojnë paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme.
Dumani ka konfirmuar se SPAK ka nisur hetime për pastrim parash jo vetëm në sektorin e ndërtimit, por edhe në turizëm hotelier. Ai ka bërë të ditur se janë konfiskuar tashmë disa hotele, apartamente luksoze, vila dhe njësi tregtare, duke i futur këto asete në portofolin e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara.
"Kemi nisur hetime për pastrim parash, patjetër edhe për ndërtim dhe në hoteleri-turizëm, ku mund t'ju them, nuk e di, rreth të paktën katër hotele janë konfiskuar tashmë si produkte të veprës penale.
Në ndërtim, sepse ne kemi parë raste, madje kemi sekuestruar, disa janë konfiskuar, disa janë në proces konfiskimi, ku kanë investuar eksponentë të krimit të organizuar, në njësi tregtare, në apartamente luksoze, në vila. Ne kemi futur pjesë të portofolit të aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara pikërisht në njësi tregtare, vila, apartamente e të tjera”, tha ai.

Altin Dumani, kreu i SPAK, u pyet gjatë seancës në Kuvendin e Shqipërisë, nëse ka ose jo hetime lidhur me Olsi Ramën, vëllain e Kryeministrit Edi Rama, sa i takon laboratorit të Xibrakës.
Dumani tha se hetimet lidhur me atë çështje janë mbyllur pasi nuk janë gjetur provat që vërtetojnë përfshirjen e tij në trafikimin e lëndëve narkotike.
Klevis Balliu: Në këtë sallë me 140 deuterëve është njëri që quhet Taulant Balla, dikur ministër i Brendshëm. Në atë foltore në seancën penale të 4 prillit 2024 ka thënë: Unë e di kush është Tani. Ju a kishit qëllim ta identifikonit personin që kishte 10 vite që ishte personi i moshës 45 vjeç i paidentifikuar. Nëse kishit për qëllim ta identifikonit pse nuk thirrët Ballën për ta pyetur që tha publikisht këtë? Nëse Balla e di pse ju nuk e dini? Keni nisur ju një hetim për këtë?
Altin Dumani: Kjo ka të bëjë me laboratorin e Xibrakës dhe Balliu i referohet një hetimit të SPAK për implikimin e mundshëm të Olsi Ramës në trafikim të narkotikëve. SPAK rifilloi hetimet, kreu veprimet e nevojshme dhe në përfundim konkludoi me pezullim të hetimeve për shkak se nuk u zbuluan autorët e veprës penale dhe hetimet i kanë kaluar për ndjekje të mëntesjhe Policisë së Shteitt

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur në Kuvend edhe për dosjen e aferës “Partizani”, që si të dyshuar kryesor ka Sali Berishën.
Se përse Berishës nuk i hiqet masa e sigurisë detyrim paraqitje, Dumani tha se një vendim i tillë merret vetëm nga GJKKO.
“Ka kaluar edhe fazën e shqyrtimit të seancës paraprake. Gjyqtari i seancës paraprake ka verifikuar edhe akuzat dhe provat e grumbulluara nga SPAK dhe ka vendosur që çështjen ta çojë në gjykim në GJKKO. Gjithë këto pyetje dhe pretendime që ngre zoti Strazimiri i përkasin seancave gjyqësore që po zhvillohen në GJKKO.
Kjo masë sigurimi është caktuar me vendim gjykate dhe është gjykata që vendos shuarjen e masës së sigurimit”,- tha Dumani.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, po i përgjigjet pyetjeve të deputetëve, gjatë një seance ku prej disa orësh drejtuesit e institucioneve të drejtësisë po paraqesin raportet vjetore.
Një nga pyetjet që iu drejtua Dumanit ishte mbi një deklaratë të ish-ambasadodit Donald Lu, i cili gjatë kohës që shërbente si diplomat në Tiranë përmendi 4 familje mafioze.
“Ish-ambasadori Lu deklaroi se në Shqipëri ekzistonin 4 familje mafioze dhe 20 grupe kriminale. A keni sot një rezultat konkret se cilën familje keni neutralizuar?”, ishte pyetja drejtuar Dumanit.
Kreu i SPAK duke dhënë përgjigjen e tij tha se një ndër gjërat për të cilat duhet të ndihemi krenarë është lufta kundër krimit të organizuar.
“Falë bashkëpunimit me asgjencitë partnere, me Britaninë, SHBA, vendet e Amerikës Latine, kemi bërë hetime të suksesshme me të cilat mburremi edhe në Euro Just.
Kemi bashkëpunuar me agjencitë partnere që na kanë besuar. Ky besim nuk është apriori. Kam dëgjuar që bëhet krahasim mes SPAK dhe Krimeve të Rënda.
Kam qenë pjesë edhe atje, jam krenar. U jap vetëm një shifër, nga 2004-2019 nga Krimet e Rënda janë trajtuar 780 subjekte. Në 5 vite SPAK e ka tejkaluar këtë shifër”, tha Dumani.

Gjatë raportimit të veprimtarisë për vitin 2024 në Kuvend, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani është shprehur se SPAK nuk ka nisur hetim ndaj kryeministrit Edi Rama.
Dumani është pyetur nga deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, se pse kryeministri Edi Rama “është shpallur i paprekshëm” nga drejtësia.
Kreu i SPAK tha se për këtë institucion nuk ka persona të paprekshëm, ku theksoi se çdo hetim zhvillohet mbi bazën e provave dhe jo të emrave.
“Për SPAK nuk ka të paprekshëm! Në çdo procedim penal hetohet fillimisht në drejtim të faktit penal dhe më tej një drejtim të autorëve të veprës penale. Të gjitha këto raste që përmendi prokurorët kryejnë hetime të gjithanshëm. Siç e kam thënë edhe më parë, për prokurorët e posaçëm nuk kanë rendësi emrat por vetëm provat.”-u shpreh Dumani.

Altin Dumani, kreu i SPAK, po i përgjigjet në Kuvend pyetjeve të deputetëve, pasi për gati 45 minuta lexoi raportin vjetor të Prokurorisë Speciale.
Dumani është pyetur nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku lidhur me çështjen e inceneratorëve, ndërsa kreu i SPAK i ka bërë edhe një ‘ftesë’ ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj që nëse dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë është mëse i mirëpritur. Kjo përgjigje erdhi lidhur me pyetjen nëse SPAK ka tentuar ose jo të marrë dëshmitë e Ahmetajt, lidhur me akuzat ai ka bërë në një nga emicionet televizive.
“Lidhur me inceneratorët, kemi Elbasanin, Fierin dhe Tiranën. SPAK ka hetuar në kuadër të këtyre procedimeve penale 71 pesona të gjithë niveleve, disa janë në nivele penale të formës së prerë, disa në hetim, disa në gjykim dhe po hetohet për fakte penale të tjera për këtë veprimtari kriminale.
Lidhur me pyetjen sepse nuk është marrë i pandehur ende Erion Veliaj, dua të them se hetimet parprake nuk kanë përfunduar ende dhe vijojnë për inceneratorin e Tiranës. Lidhur me dëshminë e Ahmetajt, deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti.
Për ne sot ai është person në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale. Në çdo moment që një subjekt dëshiron të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë është mëse i mirëpritur”, u shpreh ai.

Kreu i SPAK Altin Dumani ja ka bërë të qartë politikës se ai nuk do të dorëzohet përballë saj.
Ai po raporton në Kuvend dhe u pyet nga deputetja Jorida Tabaku nëse ka një dorëzim përballë presioneve duke qenë se është në fund të mandatit. Dumani u përgjigj: “Jo, nuk ka të bëjë fare. Unë nuk dorëzohem. Nuk jam njeri që dorëozhem. Unë do të vazhdoj të jem prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe pas mbarimit të mandatit njëvjeçar, kuptohet, po la zoti jetë. Sqaroj këtu se kam kërkuar disa herë parlamentit të shqyrtojë mundësinë e rishikimit të mandatit të prokurorëve të posaçëm, dhe në jo pak raste është aluduar se e bëj këtë për interesin tim personal. Për këtë arsye, ritheksoj edhe njëherë se nëse politika e kushtëzon apo ka mendime se zgjatja e mandatit lidhet me emrin tim, atëherë unë nuk rikandidoj.
Robert Kennedy, ish-prokuror i përgjithshëm i Amerikës, ka thënë ndër të tjera se lavdia e drejtësisë dhe madhështia e ligjit nuk krijohet vetëm nga kushtetutat, por nga burrat dhe gratë që i jetojnë ato me guxim dhe mirëkuptim. Prandaj, ndjej punën, kam guxim, por përpiqem të jem edhe mirëkuptueshëm. Kjo thënie e Robert Kennedy vlen për gjithë prokurorët e posaçëm”.

Kreu i PD, Sali Berisha është rikthyer në sallën e Kuvendit, ku po raporton kreu i SPAK Altin Dumani për krimin dhe korrupsionin.
Berisha ndërhyri gjatë fjalës së Dumanit, ku i tha se duhet t’i lexojë pyetjet një më një dhe t’i japë secilës përgjigje.
“Lexoji pyetjet një më një dhe jo në këtë mënyrë ku askush nuk e merr vesh”-iu drejtua Berisha-Dumanit.
Në total, opozita ka depozituar 57 pyetje për drejtuesin e SPAK, i cili do tu përgjigjet në përfundim të prezantimit të raportit.
Në fjalën e tij, Dumani theksoi se vijo presioni nga krimi e politika kundrejt SPAK, duke rrezikuar integritetin institucional dhe të prokurorëve.
Dumani u shpreh se ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK, ndërsa edhe njëherë shtroi kërkesën që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë e rikandidimit pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar.

Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë raportimit në Kuvend, ka folur mbi topologjinë dhe veprimtarinë e grupeve kriminale me ndikim në Shqipëri dhe jashtë saj.
Dumani theksoi se organizatat kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive në trafikimin e lëndëve narkotike, veçanërisht në kokainë dhe kanabis, duke shtrirë aktivitetin e tyre në disa shtete të Bashkimit Europian.
Sipas kreut të SPAK, rrjetet kriminale shqiptare janë të lidhura ngushtë me tregjet ndërkombëtare të drogës, duke siguruar blerjen e kokainës në vendet e Amerikës Latine, kryesisht në Bolivi, Peru, Ekuador dhe shtete të tjera.
“Këto grupe ushtojnë aktivitetin e tyre në disa vende të BE, kryesisht në Itali, Spanje, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, si dhe vende të tjera si Zvicër e Mbretëri e Bashkuar. Ata e sigurojnë blerjen e kokainës në vendet e Amerikën Latine, kryesisht në Bolivi, Peru, Ekuador e të tjera”, tha kreu i SPAK.
Gjithashtu, ai theksoi se grupet kriminale me ndikim në Shqipëri janë të përfshira edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe në krimin kibernetik, që janë gjithashtu pjesë e tregjeve ndërkombëtare të Bashkimit Europian.
“Lidhur me topologjinë e grupeve kriminale me ndikim në Shqipëri, ato vijojnë të jenë aktive në trafikimin e lëndëve narkotike, kryesisht në trafikimin e Kokainës dhe kanabisit. Këto grupe ushtojnë aktivitetin e tyre në disa vende të BE, kryesisht në Itali, Spanje, Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani, si dhe vende të tjera si Zvicër e Mbretëri e Bashkuar.
Ata e sigurojnë blerjen e kokainës në vendet e Amerikën Latine, kryesisht në Bolivi, Peru, Ekuador e të tjera. Megjithëse me një shkallë të ulët, grupet kriminale me ndikim në Shqipëri janë të përfshirë edhe në trafikimin e qenieve njerëzore dhe krimin kibernetik, që janë gjithashtu pjesë e tregjeve ndërkombëtare të BE.”-u shpreh Dumani në Kuvend.

Janë shënuar rritje progresive lidhur me procedimet ndaj grupeve kriminale dhe pastrimit të parave, u shpreh në Kuvend, Altin Dumani, kreu i SPAK-ut, teksa paraqiti raportin vjetor para deputetëve.
Ai tha se grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive në trafikun e narkotikëve, ndërsa kanë aktivitetin e tyre në vendet e Bashkimit Europian. Ai tha se janë në kërkim ndërkombëtar 117 persona si pjesë e grupeve kriminale.
“Lufta kundër krimit të organizuar edhe për këtë vit, krahasuar me vitin paraardhës, ka shënuar arritje të rëndësishme me një rritje prej rreth 18,8% të regjistrimeve të këtyre procedimeve penale. Po kështu, është rritur edhe numri i personave të cilët janë nën hetim për këto procedime me rreth 21,6%, krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, ka një rënie me rreth 7,3% të çështjeve të dërguara për gjykim për shkak të volumit dhe kompleksitetit të tyre”, tha kreu i SPAK.
Lidhur me luftën ndaj korrupsionit, Dumani u shpreh se SPAK ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë.
“Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish- zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve. Bashkëpunimi nga institucionet publike në lidhje me referimet e ardhura prej tyre ka nevojë ende të përmirësohet. Kështu numri i procedimeve të filluara nga referimet e përcjella nga institucionet publike mbetet i ulët, duke zënë vetëm 15,1% të totalit të referimeve të dërguara pranë SPAK nga të gjitha subjektet publike dhe private. Është për t’u theksuar se, referimet e ardhura nga policia e shtetit, krahasuar me vitin 2023, kanë shënuar gjithashtu një rënie shqetësuese me 53,8%”, tha Dumani.
Shkelja e barazisë në tendera dhe pastrimi i produkteve të veprës penale, u vlerësuan nga Kreu i SPAK, si më të përhapurat ndër veprat penale të ndjekura nga Prokuroria Speciale.
“SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK.
Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023)”, tha Dumani, duke paraqitur raportin vjetor.

Zërat kritikë nuk i pëlqejnë kreut të SPAK!
Kreu i SPAK, Altin Dumani, vijon t’i qëndrojë pretendimit se media është mes politikës dhe krimit, si subjekte që po ushtrojnë presion ndaj prokurorisë.
Këtë deklaratë e bëri edhe në Komisionin e Ligjeve ditë më parë, ku pati shumë reagime. Por edhe sot në sallën e Kuvendit Dumani teksa renditi kërcënimet, përmendi sërish median.
“Ndaj SPAK vijon një presion i jashtëm nga aktorë politikë, mediatik dhe të krimit të organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve. Ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK”, theksoi Dumani.
Por në përpjekjen për të identifikuar kërcënimet reale ndaj pavarësisë së SPAK, zoti Dumani rrezikon të rrëshqasë drejt një tjetër rreziku: ngatërrimit të kritikës me sulmin. Sepse kur një institucion si SPAK-i vendos të përmendë median në të njëjtin rresht me krimin e organizuar dhe presionin politik, krijohet ideja se edhe kritika legjitime, madje edhe raportimi investigativ, shihet si kërcënim.
Nuk ka asnjë provë serioze që media në Shqipëri po ushtron presion ndaj SPAK-ut. Ajo që ekziston është një rritje e interesit publik ndaj vendimeve të tij, ndaj zvarritjes së hetimeve në disa dosje të ndjeshme, ndaj qëndrimeve shpeshherë të paqarta për çështje me interes kombëtar. Kjo nuk është trysni, është përgjegjësi publike.
Edhe mënyra si SPAK ka vepruar ndaj gazetarit Elton Qyno është shembulli më i qartë se çfarë ndodh kur një institucion kërkon të mbyllë kanalet e informacionit, në vend që t’i sqarojë. Sekuestrimi i pajisjeve të punës së një gazetari investigativ, pa garanci minimale ligjore, u rrëzua më pas nga vetë Gjykata Kushtetuese. Dhe me të drejtë.
Pse nuk foli Dumani për rastet kur përdoret media për interesa të SPAK? Pamfleti denoncoi pak ditë më parë se si prokurori Klodian Braho përdor gazetarët pranë tij për të krijuar tymnajë lidhur me garën për kreun e SPAK. Pra nëse nuk do ishte media, SPAK sot do ishte kthyer në xhandar. Media është ajo që mban në shina jo vetëm SPAK, por qeverinë, policinë, etj.

Në sallë vihet re mungesa e Sali Berishës
Kreu i SPAK, Altin Dumani po prezanton në Kuvend raportin e SPAK për vitin 2024.
Mësohet se opozita ka depozituar 57 pyetje për drejtuesin e SPAK, i cili do tu përgjigjet në përfundim të prezantimit të raportit.
Në sallë vihet re mungesa e Sali Berishës, edhe pse pritet të rikthehet më vonë.
Ndonëse nuk ka regjistruar pyetje për të, Berisha parashikohet të mbajë një fjalë 15 minutëshe, pasi Dumani të ketë përfunduar dhe me përgjigjet e pyetjeve.

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka dalë sot përballë deputetëve për të raportuar mbi punën e prokurorisë. Ai ju përgjigj edhe akuzave se SPAK po përdor masa shtrënguese.
Sipas tij, shumica e të hetuarve për korrupsion janë në masa të lehta sigurie.
“Lidhur me numrin e procedimeve të nisura nga referimet e ardhura nga shtetasit, qytetarët, krahasuar me vitin 2023, kemi një rritje në masën 36%, duke treguar për një nivel më të lartë të besimit të publikut ndaj SPAK. Sa takon masave të sigurimit, numri i të burgosurve nga hetimet e SPAK përbën vetëm 9.5% të totalit. Masa e sigurimit “arrest në burg” është aplikuar për persona, nga të cilët rreth 82% rezultojnë të hetuar për veprat penale të krimit të organizuar. Lidhur me rastet e korrupsionit gjatë vitit, rezulton se në masën “arrest me burg” janë vendosur 13.5% e numrit total të personave”, tha ai.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, po raporton sot në Kuvendin e Shqipërisë mbi ecurinë e punës së Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit të fundit. Në fjalën e tij, Dumani deklaroi se gjatë vitit të kaluar janë forcuar ndjeshëm hetimet për korrupsion dhe krim të organizuar, ndërsa janë konsoliduar kapacitetet profesionale të strukturës.
Sipas Dumanit, numri i çështjeve nën hetim është rritur me 8%, ndërsa numri i personave të hetuar është rritur me 21% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, kreu i SPAK pranoi se numri i procedimeve të reja të regjistruara ka pësuar një ulje prej rreth 15%, çka lidhet me riorganizimin e brendshëm dhe prioritetin e dhënë përfundimit të dosjeve komplekse në proces.
Në raportin e tij, Dumani nënvizoi rëndësinë e hetimeve financiare paralele, që po zhvillohen krahas hetimeve penale. Ai bëri të ditur se janë intensifikuar sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale, duke arritur në një vlerë prej miliona eurosh, me një rritje prej 60% krahasuar me vitin e kaluar. Këto përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe madje edhe transaksione në kriptovaluta.
“Rekomandimin numër një që lidhet me forcimin hetimeve dhe dënimeve për korrupsionin nënvizojmë se gjatë vitit SPAK konsolidoi kapacitetet profesionale dhe në rritje me 8% të çështjeve nënhetim dhe me 21% të numrit të personave të hetuar krahasuar kjo me vitin. Megjithatë numri i procedimeve të reja të regjistruara shënoi një ulje prej rreth 15%.
Rekomandimi numër dy, që lidhet me hetimet financiare paralele, nënvizojmë se në nëntor të vitit 2021 u miratua udhëzimi i përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në strukturën e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili standardizon hetimet financiare dhe zhvillon ato paralelisht me hetimin penal. Si rezultat u intensifikuan sekuestrimet dhe konfiskimet e aseteve kriminale, duke arritur në një vlerë prej miliona eurosh, me një rritje prej 60% krahasuar kjo me vitin e kaluar. Këto përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe transaksione në kriptovaluta.
Për rekomandimin numër tre, që adreson luftën kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, nënvizojmë se gjatë vitit SPAK forcoi bashkëpunimin operacional me Europol, Eurojust, Interpol dhe agjencitë partnere të vendeve të BE-së, Shteteve të Bashkuara si FBI. Gjithashtu vlen të evidentojmë se u krijuan skuadra të reja hetimore të përbashkëta”, tha ai.
Lini një Përgjigje