Politike25 Mars 2023, 16:00

14 maji/ Baza e PD i kërkon Alibeajt përballje me Berishën, shumica kundër skemës së Tabakut dhe Çupit

Shkruar nga Pamfleti

14 maji/ Baza e PD i kërkon Alibeajt përballje me Berishën,

Baza ka dalë kundër skemës së propozuar nga Jorida Tabku dhe Dhurata Çupi, të cilët kërkuar që të garohet vetëm në këshilla dhe sa i takon krerëve të bashkisë t’u lihet terren kandidatëve të “Primareve”...

Grupi i Enkelejd Alibeajt nuk e ka ende një vendim final se si do të shkohet në zgjedhjet e 14 majit.

Sot ai ka mbledhur Kolegjin e Kryetarëve, ku ka pasur debate e diskutime të forta.

Kryetari i degës së Mirditës, Mark Ruçi ka deklaruar se PD zyrtare duhet të dalë me 61 bashki. Nga ana tjetër kreu i Degës së Durrësit Joni Myshketa është shprehur se i ka emrat e mundshëm për kryebashkiakë, por duhet të ruhet përçarja e mëtejshme.

Kryetari i degës së PD në Kuçovë, shprehet kundër propozimeve të deputetëve që PD zyrtare të futet vetëm me Këshilla Bashkiakë. Ai ka deklaruar se PD duhet të futet patjetër me kandidatë.

Edhe Pëllumb Seferi i degës 8 në Tiranë ka kërkuar kandidatë me logon zyrtare në  kryeqytet.

Një reagim të ashpër ka pasur nga kreu i degës së Dibrës, Naim Gazidede që njëherësh është edhe kandidati i Alibeajt për Bashkinë e Dibrës. Edhe ai ka kërkuar që të dilet me kandidatë për kryetarë bashkie në 61 bashkitë e vendit, pasi sipas tij në garohet vetëm në këshilla, PD është më mirë të bojkotojë zgjedhjet.

Nga ana tjetër, kreu i degës 12 në Tiranë, Shpëtim Dushku ka kërkuar që kandidati për kryeqytetin të jetë deputet i qarkut. Duke qenë se një ditë më parë dolën emrat e Ronlad Bejkos dhe Jonila Godoles, sipas Dushkut duhet që kandidati të jetë me patjetër deputet. Ai ka kërcënuar madje dhe me dorëheqje.

“Jam për kandidat politik, të jetë deputet. Përndryshe nuk jam pjesë e fushatës dhe jap dorëheqje nga kryetar i degës”-mësohet të ketë thënë ai. Pra duket se baza ka dalë kundër skemës së propozuar nga Jorida Tabku dhe Dhurata Çupi, të cilët kërkuar që të garohet vetëm në këshilla dhe sa i takon krerëve të bashkisë t’u lihet terren kandidatëve të “Primareve”.

Pasdite Alibeaj do të mbledhë kandidatët e prezantuar deri më tani e më pas Kryesinë dhe aty duket se do të merrte vendimi se si do të shkohet në zgjedhje. Më pas nesër dhe të hënën do të diskutohet për kandidatët.

 

alibeaj zgjedhje 14 maji