Politike 6 Dhjetor 2023, 19:00

A do të rihapet “21 Janari”? Drejtësia në test, publikohet në Fletoren Zyrtare vendimi i Strasburgut

Shkruar nga Pamfleti
A do të rihapet “21 Janari”? Drejtësia në test,
Momente nga "21 Janari"

Strasburgu e bën të qartë se vrasja e Aleks Nikës duhet të zbardhet. Aktualisht dosja e tij është në Prokurorinë e Tiranës dhe fle aty prej vitesh...

Vendimi i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut lidhur me “21 Janarin” është publikuar sot në Fletoren Zyrtare, që do të thotë se ai tani është i detyrueshëm të zbatohet nga autoritetet shqiptare.

Ishte familja e Alkes Nikës, që bëri një padi në Strasburg, duke pretenduar se drejtësia nuk veproi si duhet me hetimet për të afërmin e tyre. Për Nikën, nuk është akuzuar askush, teksa dhe për emrat e tjerë Strasburgu ka konstatuar shumë parregullsi. Vendimi u mor pak ditë më parë, por ai sot është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe tani drejtësia është në test.

Në fund të vendimit thuhet: “Gjykata vëren se hetimi penal është ende i hapur. Duke pasur parasysh këtë, ajo konsideron se autoritetet duhet të vazhdojnë (për aq sa kjo është e mundur) përpjekjet e tyre që synojnë zbardhjen e rrethanave të vdekjes së A. N. dhe identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, aty ku është e përshtatshme”.

Pra, Strasburgu e bën të qartë se vrasja e Aleks Nikës duhet të zbardhet. Aktualisht dosja e tij është në Prokurorinë e Tiranës dhe fle aty prej vitesh. Gazetari Artan Hoxha nxori dhe disa përgjime që tregojnë sesi u dha urdhri për të qëlluar në mish, por SPAK përgjimet i hoqi nga vetja dhe i dërgoi te Prokuroria e Tiranës. Tani të dyja organet janë të test, pasi Strasburgu kërkon një proces të drejtë ligjor, pasi ka vërejtur shumë parregullsi gjatë hetimeve.

Duket sikur të gjithë i tremben kësaj dosje. Në burg shkuan vetëm “cironkat” ndërsa ata që dhanë urdhrat jo. Askush nuk guxoi të merrte në pyetje Berishën, Bashën dhe stafin e Kryeministrisë, pasi aty u fshinë kamerat e sigurisë. Mbetet të shihet nëse drejtësia e re do të lëvizë.

Sa i takon vendimit, gjykata kujton momentin kur Berisha doli e fliste për çadra pistoletë e thika me helm. Po ashtu përmend presionet ndaj Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe Ina Rama.

Zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme u ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar, i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin”, thekson gjykata.

Më tej tërhiqet vëmendje dhe për skandalin me urdhër-arrestet. Policia refuzoi të zbatonte urdhrin e gjykatës dhe prokurorisë.

Edhe pse ishin lëshuar urdhër-ndalime në lidhje me oficerët e dyshuar të Gardës së Republikës, ato nuk ishin zbatuar, me pretendimin e pasaktësive në përmbajtjen e tyre. Ishin vetë oficerët ata që u dorëzuan 18 ditë më vonë, çfarë solli një humbje kohe në një fazë kritike, si dhe të mundësisë për të minimizuar bashkëpunimin ose shtrembërimin e së vërtetës”, thekson Gjykata e të Drejtave të Njeriut. Po ashtu si skandaloz përmendet fakti se u fshinë filmimet e kamerave të sigurisë në Kryeministri. /Pamfleti

straburgu 21 janari

Dokumenta bashkëngjitur