Politike 6 Prill 2023, 12:05

A do t’i hapë Gabriel Escobar dosjet e parave ruse në Tiranë?

Shkruar nga Pamfleti
A do t’i hapë Gabriel Escobar dosjet e parave ruse në
Gabriel Escobar

Logjika ta thotë se si SHBA, por edhe BE e Perëndimi, nuk janë ‘kafshata të lehta’ që mund t’i kapërdijnë lojtarët e politikës së “fshatit shqiptar”.

Si sot një javë, në Tiranë vjen në një mision special, i dërguari i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai vjen posaçërisht në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit, ku do të kërkojë një proces të rregullt, të pandikuar nga mafia, por në veçanti, të pa ndikuar nga Moska zyrtare. E cila siç po bëhet gjithnjë e më e ditur ka pasur gjithmonë duart në byrekun e politikës ballkanike. Pavarësisht kundërshtive që Monika Kryemadhi i ka bërë akuzave në adresë të saj, e ndoshta edhe mund të ketë shumë tym, kontakti i saj me rusët është dukshëm i fortë.

E këta dokumente nuk ka izraelit që i falsifikon nëse nuk janë të vërteta.

Në këto ditë, po flitet gjithnjë e më tepër për disa vendime të reja nga SHBA, për të shpallur ‘Non Grata’, politikanë e biznesmenë në Shqipëri. Është thënë që kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve, në mënyrë që të mos ketë ndikim në fushatë e të përdoret nga palët.

SHBA e ka treguar edhe me rastin Berisha se nuk ka dashur të ndikojë në fushatën e vitit 2021, ndaj shpalljen ‘Non Grata’ të Saliut  e bëri pas 25 prillit.

Edhe në rastin e përplasjes në PD, SHBA mbështet pjesën e Alibeajt, por asnjëherë në ndonjë fushatë Amerika e qeveria e saj nuk kanë mbajtur anë.

Këtë e tha qartë ambasadorja Yuri Kim, në intervistën për ‘Zërin e Amerikës’. Ajo nuk tha për kë duhet të votohet, vetëm deklaroi qëndrimin e qartë të qeverisë së SHBA-së se është gabim që të kujtojnë se shpallja ‘Non Grata’ është një vendim për të kaluar rradhën, e ndaj përmendi “zjarrëvënësin e fshatit”.

E këtë qëndrim Escobar do ta thotë hapur në Tiranë, ku siç mësohet do të vijë me një paketë të madhe financiare që qeveria Amerikane do të akordojë direkt për SPAK, që nga mbështetja logjistike e deri tek ajo e burimeve njerëzore. Ndërkaq, një grup i gjerë ekspertësh të FBI-së që janë të specializuar në çështjen e fshehjes dhe pastrimit të parave do të jenë në dispozicion të Altin Dumanit që javën tjetër.

Byroja Kombëtare e Hetimit do të marrë aparatura të fundit të interceptimit të komunikimeve telefonike dhe elektronike, që e kanë vetëm institucione të specializuara amerikane. Ajo do të lëvizë vetëm me kërkesë të Prokurorit të SPAK dhe me vendim të GJKKO.

Ndërkaq, ka zëra që Escobar do të flasë fort në lidhje me ndikimin rus në politikën shqiptare e atë ballkanike.

Ka një fakt që duhet analizuar në lidhje me dokumentet e dala për Monika Kryemadhin. Natyrisht askush nuk ka bërë të ditur se kush i ka sjellë, kush ka arritur t’i gjejë, por nëse nuk bëhet fjalë për agjenci ligjzbatuese perëndimore, do të vinte sipas të gjitha gjasave një përgënjeshtrim apo të paktën sqarim.

A po ndëshkohet Ilir Meta për strehimin që i ka dhënë në partinë e tij Sali Berishës që është shpallur ‘Non grata’. Logjika ta thotë se si SHBA, por edhe BE e Perëndimi, nuk janë ‘kafshata të lehta’ që mund t’i kapërdijnë lojtarët e politikës së “fshatit shqiptar”. Ndërsa “zjarrëvënësi”, jo vetëm që është ndëshkuar por edhe i treguar me gisht, dhe ka gjasa që Escobar të flasë dhe për njeriun që i ka dhënë shkrepset, siç e tha qartë ambasadorja Yuri Kim në intervistën e VOA. “Kur ke njerëz të përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion domethënës, kur këta individë pretendojnë që do të largojnë korrupsionin, është njësoj si zjarrvënësi i fshatit që premton se do shuajë të gjitha zjarret; madje jo vetëm kaq, por kërkon edhe të gjitha shkrepëset që mund të gjejë nga të gjithë fshatarët e tjerë”, deklaroi Yuri Kim./Pamfleti

 

gabriel escobar dosja e parave ruse tirana