Enkelejd Alibeaj ka reaguar ashpër pas sulmeve personale të Sali Berishës ditën e sotme. Dalja e PD me kandidatë më vete ka alarmuar Berishën dhe sot ai i përmendi Alibeajt të vëllanë, ndaj të cilit ka pasur akuza se është arrestuar jashtë vendit.
Por në një reagim, Alibeaj i ka treguar vendin, duke folur edhe mbi akuzat e bashkëpunimit me PS për hapjen e dosjeve të Sigurimit.
“Akuzat dhe shpifjet në gojën e Sali Berishës, janë refren i njohur në politikën shqiptare. Vazhdoj ti mbetem bindjes se një gjuhë e tillë meriton përçmimin dhe neverinë që tashmë shqiptarët dinë tja japin politikës së vjetëruar. Ajo që Sali Berisha e quan bashkëpunim për ligjin e dosjeve, është thëngjilli që i djeg ish-komunistëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, që për vite me radhë përdoren PD-në dhe të djathtën si mburojë të tyren. Akuzat ndaj familjarëve, janë pikërisht rrjedhojë e shkollës politike të komunizmit dhe biografive, që për dhjetra vite persekutuan shqiptarët”, shkruan Alibeaj.
Më tej ai deklaron se ligji për dosjet dhe lustracionin janë domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare. Sipas tij, ky ligj është mënyra për të rivleresuar të shkuarën, për të ndërtuar të ardhmen pa pengjet e një të kaluare që i ka shkaktuar dëme të mëdha shoqërisë sonë.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët sot, Berisha tha se Alibeaj ka fshehur vëllain e tij, i cili sipas ish-kryeministrit ka qenë i arrestuar më herët në vende të Bashkimit Europian për rrëmbim me armë.
“Enkelejd Alibeaj ka fshehur vëllain e tij kriminal i cili është arrestuar për rrëmbim me armë në vende të Bashkimit Europian dhe sot nuk dihet ku është. Ndan të fshehtat me Edi Ramën. Ndaj dhe mbahet peng. Për këto rekorde kriminale mund të mos zgjidhej deputet, partnerja e tij mund të mos zgjidhej në gjykatë. Por ia kanë mbyllur dhe e mbajnë peng dhe e shëtisin. Kjo nuk është përçarje, është pengmarrje”, deklaroi Berisha.
Lini një Përgjigje