
Avokati Spartak Ngejla ka kërkuar që SPAK ta ngrejë më lart stekën e arrestimeve. Në pranga u vu dje Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë bashkë me një specialiste, por për Ngjelën niveli i lartë i korrupsionit janë ministrat e deputetë.
Sipas tij, deri më tani SPAK ka qenë jo aty ku duhet dhe mbet të shihet nëse ka nisur apo jo të lëvizë.
“SPAK-u ishte në pozicion të ngrirë deri më tani siç e kisha parë unë. Ndoshta ka filluar të lëvizë. Nga eksperienca deri tani dimë se sekretarët e shtetit në Shqipëri kanë bërë shumë abuzime. Nuk flas për këtë në veçanti se do shohim provat. Por flas në 30 vite, sekretaret e shtetit në ministri kanë vënë firma për korrupsion. Mirëpo do shohim si do përparojë SPAK-u për këtë çështje konkrete. Nuk ishte nivel i lartë i korrupsionit. Nivel i lartë janë ministra, deputetë e tutje. Megjithatë duhet te shohim se deri ku do vejë, pasi SPAK ka zhgënjyer shumë palë në këtë drejtim”, tha Ngjela.
Avokati u ndal dhe te lirimi nga qelia i ish-ministrit Saimir Tahiri. Sipas tij, pavarësisht akuzave të ambasadores Kim dhe opozitës, për sa kohë nuk ka asnjë provë se gjykata ka shkelur ligjin, vendimi duhet të respektohet.
“Ai është liruar me vendim gjykate. Nëse ka korrupsion gjykatat ta nxjerrin dhe të thonë. Janë 4 pika të ligjit të cilat e lirojnë një të burgosur kur nuk ka mundësi të mbajë familjen. Por nuk e liron. Burgun e bën në shtëpi. Nëse flasin për korrupsion sikundër pretendon dhe ambasadorja e SHBA le të nxjerrin provat. Unë nuk mund të flas kundër një gjykate se jam avokat”, tha ai në një intervistë televizive.
Tahiri u lirua me kusht nga qelia, ndërkohë që pati reagime te forta nga opozita dhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.