
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila është marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme ka dalë në foltoren e Kuvendit për të folur për buxhetin, por opozita braktisi sallën në shenjë protestë ndaj saj.
Ajo e nisi fjalën duke folur për hetimin nga SPAK, ku është marrë si e pandehur për tunelin e Llogarasë.
“Dua të them disa fjalëve që ua kam borxh mijëra qytetarëve, jo për të kompensuar baltën, aludimet e gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna. Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje e as kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht, as lëvdata, pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re, produkt i vullnetit të PS-së dhe Ramës është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta, me pikat e saj të forta, por si gjithçka e re po konsolidohet dita-ditës.
Nuk do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon. Nuk do prononcohem kurrë për çështje nën hetim pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo! Por, unë si gjithë kolegët e mi, mbështesim reformën në drejtësi, edhe kur prekemi personalisht pasi ndryshe nga sa thoni, PS-ja është një formacion politik serioz, i vetmi në Shqipëri, ku fjala e secilit dëgjohet e ka peshë, ndaj në respekt të plotë të saj nuk kam asnjë koment”, tha Balluku.
Opozitarët refuzuan që të dëgjonin Ballukun të flasë për projektbuxhetin dhe menjëherë u larguan nga salla e Kuvendit. Në sallën e parlamentit qëndruan Agron Shehaj, Ana Dajko, Mesila Doda dhe Erald Kapri.
Lini një Përgjigje