Politike25 Mars 2023, 20:44

Berisha kthen 14 majin në betejë brenda PD, fushatë anti-Alibeaj dhe jo kundër Ramës

Shkruar nga Pamfleti

Berisha kthen 14 majin në betejë brenda PD, fushatë anti-Alibeaj

Berisha tregoi sot nga Kurbini se ka si qëllim të marrë më shumë vota se kandidatët e Alibeajt dhe duket se nuk i intereson beteja me Ramën...

Sali Berisha ka dalë tërësisht zbuluar ditën e sotme. Ashtu sikundër flitej, ai po tenton ta kthejë 14 majin në betejë brenda PD dhe jo kundër PS. Berisha ishte sot në Kurbin dhe aty tregoi pa dashje se do të ndjekë të njëjtën skemë si me zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, të cilët i përdor për të larguar Bashën dhe jo për të mundur kandidatët e PS.

Me pak fjalë, Berisha ka nisur një fushatë kundër Alibeajt dhe kandidatëve që mund të nxjerr ky i fundit. Sali Berisha është shprehur se çdo votë për PD-në e Alibeajt është votë në mbështetje të kryeministrit Edi Rama.

Ai shtoi se Alibeaj dhe Basha janë marrë peng nga kryeministri Edi Rama, ndërkohë që bëri thirrje për të votuar kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në 14 maj.

Nuk do të pranojmë kurrë një Shqipëri moniste. Çdo votë, çdo mbështetje për pengjet e Ramës, Lulzim Bravën dhe Alibashën, është mbështetje për Edi Ramën. Unë u them demokratëve në gjithë Shqipërinë se sot jemi më të bashkuar se kurrë, jemi opozitë e vërtetë e shqiptarëve.

Asnjë nuk duhet të mungojë në këtë betejë. Lulzim Brava dhe Alibasha janë të lidhur me lidhje krimi me Edi Ramën. Lulzim Brava është i marrë peng me procesin e larjes së parave, 700 mijë dollarë, ku në çdo gjykatë dënohej me 6 vite burg, por e shpëtoi Rama.

Edhe Alibasha nuk është më pak i lidhur me krimin. Asnjë demokrat nuk ka detyrime ndaj vëllaut të tij, një plaçkitës me armë, i arrestuar dhe i fshehur prej tij. Ne po i qëndrojmë Ramës dhe do i qëndrojmë deri në fund. Asnjë demokrat mos të shkojë pas lidhjeve të krimit. Rilindja është sekt krimi”, u shpreh Berisha.

Pra duket se Berishe ka treguar qartë se luftën e ka me Alibeajn dhe qëllimi tij është që të marrë më shumë vota se kreu në detyrë i PD dhe pastaj të kërkoj sërish vulën e PD. /Pamfleti

 

alibeaj berisha rama