
E shtuna nisi intensive për klasën politike në vend dhe duket se e tillë po mbyllet. PS, PD dhe “Foltorja” duket se sot do të zyrtarizojnë kandidatët dhe strategjinë për zgjedhjet e 14 majit.
Edi Rama në mëngjes ishte në Vlorë ku u mblodh Asambleja e PS në këtë qytet dhe u zgjodh kandidati për 14 majin. Rama është deputet i këtij qarku dhe ndoqi vetë nga afër procesin. Por teksa mblidhej Asambleja e PS-së së Vlorës, në Tiranë Alibeaj mblodhi Kolegjin e Kryetarëve, për të diskutuar mënyrën se si do të shkohet në zgjedhje. Një ditë më parë në Kryesinë e PD pati ide që të garohet vetëm për këshilla bashkiakë, por mësohet se krerët e degëve nuk kanë pranuar.
Rreth orës 19.00, si Alibeaj ashtu dhe Rama kanë mbledhur kryesitë e partive të tyre ku do të merren vendime shumë të rëndësishme. Rama sot do të zyrtarizojë kandidatë për 61 bashkitë e vendit. Thuajse pjesa më e madhe e emrave janë bërë të ditur. Rama vendosi që pjesën dërrmuese të kryebashkiakëve ta rikonfirmojë. Vetëm disa bashki janë me pikëpyetje. Pritet që pas mbledhjes së Kryesisë, drejtuesit politikë në qarqe të tregojnë dhe emrat e kandidatëve.
Nga ana tjetër, Kryesia e mbledhur nga Alibeaj do të vendosë se çfarë skeme do të zgjedhë. Në tryezë janë 3 alternativa. Të shkohet në zgjedhje duke garuar për kryetarë dhe këshilla bashkiakë; Të garohet vetëm për këshilltarë dhe të mbështeten kandidatët e “Primareve”; Si dhe të garohet për këshilltarët dhe pjesërisht për kryetarë. Sot Kryesia do të vulosë se cila nga 3 rrugët do të ndiqet.
Ndërkohë në orën 21.00 edhe Berisha do të mbledhë kryesinë e Rithemelimit ku do të zgjedhë kandidatët për këshillat bashkiakë. Duke qenë se kandidatët për kryetarë bashkie dihen, Berisha duket se po punon për këshillat. E hëna është fati i fundit ku parti duhet të dorëzojë në KQZ emrat e kandidatëve dhe duket se të gjithë po nxitojnë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje