
Kryeministri Edi Rama nga Elbasani bëri thirrje që në zgjedhjet parlamentare të 11 majit qytetarët të votojnë Partinë Socialistë.
Ndërsa për kreun e PD Sali Berisha, Rama tha se është tashmë një njeri i pashpresë, duke i bërë thirrje edhe demokratëve që të mos shkojnë pas një burri plak të dëshpëruar.
“Ne të gjithë duhet që deri më 11 maj të bëjmë sa më shumë njerëz me vete, sa më shumë telefonata me ata në emigracion. Të gjithë duhet ta kthejnë zarfin. Zgjedhjet janë se çfarë do të bëjë populli shqiptar në takimin me historinë. Takimi ynë me historinë është për të kapërcyer inatet, ngjyrat e partisë. Duhet të fokusohemi te flamuri më i bukur në botë dhe tek flamuri i ëndrrës më të bukur në botë. Sot cilido që investon me votë, është për të marrë pasaportën europiane. Dua t’u them të gjithë prindërve, që në 11 maj duhet të mendojnë për fëmijët që nuk kanë të drejtë votë”, u shpreh ai.
Më tej Rama u shpreh se është shumë e rëndësishme që më 11 maj të harrojnë partitë, por të mendojnë për të ardhmen dhe për pasaportën europiane të Shqipërisë.
“Duhet të mbyllim negociatat, t’i japim fëmijëve një dhuratë që është më e çmuar se çdo vlerë monetare. Me atë pasaportë prindërit duhet të mendojnë se i bëjnë atë që të tjerët me shekuj nuk e bënë dot kurrë, duke i dhënë statusin e të barabartit me fëmijët e Italisë dhe duke i dhënë identitetin europian. Më pas shoh të rriten fëmijë të lirë europiane”, tha ai.
Lini një Përgjigje