TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Mars 2026, 14:02

Brukseli i mbyll derën Ramës e Vuçiç: Nuk ka integrim të shpejtë në BE, plotësoni kushtet

Shkruar nga Pamfleti
Brukseli i mbyll derën Ramës e Vuçiç: Nuk ka integrim
Rama, Kos dhe Vuçiç

Rama e Vuçiç propozonin një qasje të shkallëzuar: integrimin e përshpejtuar të vendeve të përgatitura kandidate në tregun e përbashkët dhe në hapësirën Schengen…

Brukseli duket se i ka dhënë fund ëndrrës së Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që kërkonin bashkarisht aplikimin e një formule të re për anëtarësimin në BE, sipas të cilës të dy shtetet, Shqipëria dhe Serbia, të bëheshin pjesë e Unionit por pa të drejtë vetoje.

Rama e Vuçiç e hodhën idenë bashkarisht përmes një opinioni të publikuar në një nga mediat gjermane.

Rama e Vuçiç argumentonin se Bashkimi Evropian duhet të rishqyrtojë qasjen ndaj zgjerimit dhe të njohë Ballkanin Perëndimor si një vijë të re strategjike për investim në forcimin e vetë BE-së.

Duke u ndalur në faktin se që nga viti 2013, asnjë shtet i ri nuk i është bashkuar BE-së, Rama e Vuçiç theksonin se kjo situatë lidhet me një mjedis më kompleks, reforma të brendshme, tensione gjeopolitike, kufizime institucionale dhe shqetësime legjitime në shtetet anëtare, por theksojnë se mungesa e anëtarësimeve të reja ka zgjatur më shumë seç duhet.

Në artikullin e tyre, Rama e Vuçiç propozonin një qasje të shkallëzuar: integrimin e përshpejtuar të vendeve të përgatitura kandidate në tregun e përbashkët dhe në hapësirën Schengen. Sipas tyre, kjo do t’u sillte përfitime të prekshme qytetarëve dhe njëkohësisht do të forconte pozitën ekonomike dhe gjeopolitike të BE-së, pa ndryshuar arkitekturën vendimmarrëse të Unionit.

Por, pothuajse 1 muaj nga kjo ide e artikuluar publikisht, ka ardhur edhe një reagim zyrtar nga Brukseli. Ideja e propozuar konsiderohet e pamundur për tu realizuar dhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, kujton se janë një seri kushtesh që duhen plotësuar nga vendet që kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Nuk jam e sigurt nëse liderët (Vuçiç dhe Rama) e dinë se sa shumë duhet të përmbushësh nëse dëshiron të jesh pjesë e Schengen-it apo e tregut të përbashkët, dhe se procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, theksoi Kos.

Në një intervistë të publikuar nga Politico, e zhvilluar në Samitin “Competitive Europe” në Bruksel, Kos thekson se Komisioni Evropian tashmë u ka paraqitur vendeve tre opsione (për politikën e zgjerimit) dhe, pa vendimet e shteteve anëtare, nuk mund të ecim përpara.

BE-ja duhet të ndryshojë rregullat e saj për të mundësuar një valë të re vendesh që të anëtarësohen”, deklaroi komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos. Ajo u bëri thirrje shteteve anëtare të BE-së që nuk mbështesin idetë e Komisionit për zgjerimin që të paraqesin planet e tyre.

Euractiv ka publikuar së fundmi, duke cituar burime jozyrtare, se Komisioni Evropian po shqyrton tre opsione kryesore për politikën e ardhshme të zgjerimit.

I pari do të nënkuptonte ruajtjen e sistemit ekzistues. i dyti të ashtuquajturin “integrim gradual”, dhe i treti “integrim të fazuar”, pra “të kthyeshëm”.

 “Integrimi gradual” do të thotë që vendet kandidate të marrin pjesë në disa iniciativa dhe programe të BE-së, por pa përfituar anëtarësim formal, ndërsa “integrimi i fazuar” do të nënkuptonte që shtetet të marrin anëtarësim të shpejtë dhe zyrtar, duke vazhduar më pas zbatimin e reformave.

Nga diskutimi i parë me shtetet anëtare është e qartë se opsioni i tretë nuk është i pranueshëm. Ky do të ishte një revolucion. Edhe opsioni i parë, status quo-ja, nuk është një zgjidhje”, theksoi Kos.

Ajo nënvizoi se “riformatimi i sistemit është i mundshëm dhe tani po diskutojmë drejtimin, pra si mund ta bëjmë procesin më të shpejtë në kuptimin e një integrimi gradual më të avancuar”.

Sipas saj, “aspirata e Ukrainës për t’u anëtarësuar në bllok deri më 1 janar 2027 është e pamundur, ndërsa Islanda, në të kundërt, mund të jetë një rast i veçantë” dhe të ecë shumë shpejt.

“Islanda është tashmë shumë e integruar përmes Zonës Ekonomike Evropiane (EEA), kështu që Tregu i Përbashkët ekziston. Gjithashtu Schengen ekziston. Pra, temat më të vështira, nëse flasim për reformat e nevojshme apo për integrimin në BE, ato tashmë janë të përmbushura. Nëse flasim për zhvillimin e demokracisë, ato janë në nivel shumë të lartë. Vlerat evropiane janë në nivel shumë të lartë”, tha Kos. /Pamfleti/

 

be vucic rama brukseli

2 Komente

  1. J
    Jeta

    Marta Kos eshte e UDBse sebre. Prandaj flirton me antishqiptaret Rama

    1. H
      Hysen Selimi

      Te dy diktatoret e BP Sajojne formula e bejne kozmetike per Te mbuluar fytyrat e tyre Te shemtuara Te diktatore e arrogante e antipopullore ne vender e Tyre ,per tu pranuar ne BE pa plotter asnje kusht minimal per tu pranuar ne BE . Ne BE nuk pranohesh me karagjozlleqe e reverence te turpshme per politicians , qe mind ti bejne vetem adolescent , po separi duke ndryshu rregjimin , nga diktatooral ne demokraci , dhe pastas me reforms gjitheperfshirese jo vetem Te mazhorances , keshtu ne ket gjendje politike sic Jane , Serbine dhe Shqiperine vetem Kim Jongu mind ti pranoje se Kane Te mention rregjim politik me Te .

      Lini një Përgjigje