TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Mars 2026, 17:30

"Drejtësinë e bëmë ne”, Rama merr meritat e SPAK: Falë PS, janë hetuar zyrtarë të lartë për korrupsion

Shkruar nga Pamfleti
"Drejtësinë e bëmë ne”, Rama merr meritat e SPAK:
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, për të disatën herë ka përsëritur qëndrimin e tij se lufta kundër korrupsionit dhe reforma në drejtësi janë realizuar nga qeveria dhe Partia Socialiste, duke theksuar rolin e tyre në funksionimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS-së në Njësinë nr. 7 në Tiranë, Rama u zotua se gjatë qeverisjes së tij është bërë i mundur hetimi i zyrtarëve të lartë për korrupsion, madje e cilësoi si një zhvillim të paprecedent në vend.

“Nga një anë është SPAK, gjykata speciale, pushteti gjyqësor… Ne e kemi pavarësuar drejtësinë”, u zotua ai, duke shtuar se sistemi është reformuar për të qenë më pak i prekshëm nga korrupsioni.

Ai u shpreh gjithashtu se funksionimi aktual i drejtësisë lidhet drejtpërdrejt me reformën e ndërmarrë nga PS.

“Është e pabesueshme të diskutohet fakti që, nëse sot ka një drejtësi që vepron pavarësisht, kjo është fal nesh”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Shqipëria nuk ka pasur më parë raste të hetimit të zyrtarëve të lartë: "Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë hetime të zyrtarëve të lartë apo ngritje akuzash”.

Deklaratat e tij vijnë në një moment diskutimesh mbi pavarësinë e drejtësisë, ndërsa Rama vijon të mbrojë qëndrimin se ndryshimet në sistem janë rezultat i drejtpërdrejtë i qeverisë së tij.

Lini një Përgjigje