Gjatë protestës para Kryeministrisë, anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga radhët e Partisë Demokratike, Xhonatan Pano, mbajti një fjalë të fokusuar te roli i të rinjve në përballjen me pushtetin aktual.
Pano tha se të rinjtë përballen me një klimë frike dhe heshtjeje, të ushqyer nga propaganda, e cila sipas tij synon të bindë shoqërinë se ndryshimi është i pamundur. Ai theksoi se brezi i ri duhet të marrë përgjegjësinë për ta sfiduar këtë realitet.
Sipas Panos, pushteti aktual është i lidhur me struktura kriminale dhe përfaqëson një shtet të kapur, ku qytetarët nuk gjejnë drejtësi dhe ku vota e lirë vihet në diskutim. Ai nënvizoi se të rinjtë nuk kërkojnë favore, por funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore.
“Sot Goliati vishet me kostum, drejton bandat. Ejani të lëvizim malin jo për një parti por për shtëpitë tona, fëmijët tanë, të lëvizim malin e frikës, malin e heshtjes. Ne jemi gjenerata që do të shkulim degjeneratën”, u shpreh këshilltari i PD, në Këshillin Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, Xhonatan Pano.
Xhonatan Pano: Ne do ta lëvizim këtë mal se përfaqësojmë të rinjtë që nuk gjejnë vend në vendin e tyre, duhet të themi mjaft me një shtet të kapur, sepse nuk kërkojmë lëmoshë por drejtësi. Sepse pa votën e lirë nuk kemi shtet. Ata thonë se mali nuk lëvizet. Propaganda thotë se ne nuk ja dalim. Sot Goliati vishet me kostum, drejton bandat. Ejani të lëvizim malin jo për një parti por për shtëpitë tona, fëmijët tanë, të lëvizim malin e frikës, malin e heshtjes. Ne jemi gjenerata që do të shkulim degjeneratën.
Lini një Përgjigje