
Vulën Berisha donte ta përdorte si mburojë politike për të shpëtuar veten dhe familjen e tij nga hetimet e SPAK.
Vendimi i Apelit për t’i lënë vulën Alibeajt ka nxjerrë nga shinat Sali Berishën. Që prej ditës së premte e deri më sot, Saliu nuk po gjen qetësi, pasi vetëm kërcënon, sulmon dhe anatemon. Si kurrë më parë, shënjestër e sulmeve të tij ka qenë ambasadorja amerikane, Yuri Kim. Prej 5 ditësh, në çdo dalje, Berisha ka përdorur lloj-lloj epitetesh ndaj saj, duke tejkaluar çdo cak. Por cili është halli i Berishës?
Vulën Berisha donte ta përdorte si mburojë politike për të shpëtuar veten dhe familjen e tij. Me pak fjalë, Berisha ka hall burgu dhe jo vule. Kjo e fundit thjesht ishte një mjet që ai shpresonte ta përdorte si mburojë përballë SPAK. Që pasi SHBA e shpalli “non grata”, ai e kuptoi se rreziku mund të shtohej dhe menjëherë nisi tentativat për të larguar Bashën. Me shpresën se duke u bërë kryetar i opozitës, drejtësia nuk do e kishte aq të lehtë të shkonte tek ai.
Javët e fundit, SPAK ka treguar se ka disa dosje që po heton dhe Berisha është në disa prej tyre, duke përfshirë aferën me CEZ, me Kompleksin Partizani dhe Gërdecin. Madje, djali i tij u mor në pyetje pak ditë më parë për Gërdecin dhe sinjali u dha. Në këtë situatë, Berisha shpresën e shihte vetëm te vula, duke tentuar të krijojë një mburojë politike rreth vetes.
Por këtë plan të tij e prishi si duket ambasada e SHBA dhe prandaj Berisha turfullon. Në korridoret e politikës, një ditë para se të jepej vendimi flitej se ishte arritur pakti dhe vula do të kalonte te Berisha. Por që në mëngjes, dy përfaqësues të ambasadës u shfaqën në gjykatë dhe nuk lëvizën që aty për 7 orë.
Nga ana tjetër, halli i Berishës është se fati i Shkëlzenit është në dorë të amerikanëve. SPAK ka dërguar letër-porosi në Uashington për Gërdecin dhe në varësi të përgjigjes që do vijë prej tyre, varet dhe fati i djalit të tij. Kjo konfirmohet dhe nga zhvillimet sot në “Foltore”. Albana Vokshi në një deklaratë për mediat çfarë nuk tha për SPAK. Sipas saj, ky institucion është në shërbim të qeverisë.
Pra duket se nuk ka shumë faj Saliu i shkretë, pasi rrezikon të dergjet burgjeve. /Pamfleti