
Takimi i parë i turit të Ervin Salianjit dhe Ilir Alimehmeti, nisi sot në Durrës me pjesëmarrjen e strukturave të qarkut. Mbledhja solli reagime të drejtpërdrejta nga baza, e cila kërkon orientim të qartë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.
Kandidati më i votuar nga lista e hapur, Ndrec Pjetri, deklaroi se demokratët në Durrës prej muajsh ndodhen pa drejtim. Ai tha se pas 11 majit strukturat janë shpërndarë dhe nuk marrin asnjë sinjal nga qendra. “Jemi bërë si zogjtë e korbit, as ku jemi, as ku do shkojmë. Ka nisur një protestë në Tiranë, nuk dëgjohet asnjë organizim. Duhet të ngrejmë zërin. Luksin për luftë të brendshme nuk e kemi. Ky rrugëtim nuk bëhet për interes personal. Nëse dikush e përdor për interes personal, unë jam i pari që iki”, u shpreh Pjetri.
Ish kreu i FRPD, Artion Bajramaj, foli për procesin e primareve, të cilin e quajti të domosdoshëm, por të sabotuar. Ai kritikoi mënyrën si u menaxhua gara dhe ndërhyrjet pas shpalljes së fituesve. “Primaret i elektrizuan njerëzit. Rregullat vendosen përpara, nuk mund të vendosen mbrapa. Nuk mund të futemi të gjithë në garë, të fitojë dikush, dhe pastaj dikujt lart të mos i pëlqejë fituesi. Patëm probleme me listat e mbyllura. Patëm probleme me rolin e deputetëve”, tha Bajramaj.
Takimi në Durrës synon të ringrejë komunikimin me bazën dhe të qartësojë hapat politikë të PD. Turi i Salianjit dhe Alimehmetit pritet të vijojë në qarqe të tjera me reagime të ngjashme, ndërsa demokratët kërkojnë rregulla të qarta dhe shmangien e krizave të brendshme që i penalizojnë në çdo palë zgjedhje.
Lini një Përgjigje